Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Forbes: Shqipëria, një nga vendet më të mira për të jetuar pas daljes në pension

Forbes ka publikuar listën e 24 vendeve më të mira në botë ku amerikanët mund të kalojnë vitet e pensionit, duke u bazuar në koston e jetesës, cilësinë e kujdesit shëndetësor, klimën, sigurinë dhe lehtësinë e qëndrimit afatgjatë. Në listë përfshihen destinacione nga Evropa, Amerika Latine, Azia dhe Afrika, ndërsa Shqipëria renditet mes vendeve të rekomanduara për klimën mesdhetare, koston e ulët të jetesës dhe peizazhet e saj natyrore. Ja cilat janë 24 shtetet që Forbes i konsideron si zgjedhjet më të mira për pensionistët amerikanë në vitin 2026!

Shqipëria
Një vend mesdhetar me kosto të ulët dhe pamje mahnitëse

Lokacionet: Tiranë, Durrës, Sarandë, Vlorë
Kostoja e jetesës: Shumë më e ulët se mesatarja në SHBA
Shërbimi shëndetësor: I përshtatshëm, por në përmirësim të vazhdueshëm
Mundësia për të fituar të drejtën e qëndrimit: Relativisht e lehtë

Shqipëria, vendi i fundit ish-komunist që u shkëput nga regjimet komuniste në Evropën Lindore, është sot anëtare e NATO-s. Ajo shtrihet në anën lindore të detit Adriatik, përballë thembrës së Italisë. E vetëquajtur “Toka e Shqiponjave”, Shqipëria ofron një klimë mesdhetare, plazhe dhe male me pamje spektakolare, si dhe një kosto jetese rreth gjysmën e asaj që paguhet mesatarisht në Shtetet e Bashkuara.

Kriminaliteti është i ulët dhe qeverisja konsiderohet relativisht e qëndrueshme, megjithëse një plan që përfshin dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për ndërtimin e projekteve të mëdha luksoze përgjatë bregdetit të Adriatikut, ka shkaktuar protesta në rritje.

Shërbimi shëndetësor është i lirë krahasuar me standardet amerikane, i mjaftueshëm për nevojat bazë dhe po përmirësohet, por disa pacientë ende zgjedhin të konsultohen me specialistë në Itali ose në Londër. Sigurimi shëndetësor privat është i domosdoshëm.

Gjuha angleze flitet, veçanërisht nga të rinjtë shqiptarë, por jo kudo. Ndërkohë, shqipja, e cila ka 36 shkronja në alfabet, mund të jetë një gjuhë e vështirë për t’u mësuar.

Shqipëria nuk ka një marrëveshje tatimore me Shtetet e Bashkuara që të shmangë taksimin e dyfishtë, por normat e taksave në vend janë të ulëta dhe kredia tatimore amerikane për taksat e paguara jashtë vendit ndihmon ndjeshëm.

Një pensionist amerikan mund të qëndrojë në Shqipëri si “turist” për një vit të plotë, kohë e mjaftueshme për të nisur procedurat për marrjen e lejeve më afatgjata të qëndrimit, përcjell dritare.net

Ekzistojnë gjithashtu viza njëvjeçare për punonjësit që punojnë në distancë, të cilat përbëjnë një tjetër rrugë drejt qëndrimit afatgjatë dhe mund të rinovohen deri në pesë herë. Hapi i mëtejshëm është marrja e një vize afatgjatë të tipit D, e cila mund të çojë drejt një lejeje qëndrimi për pensionistë. Për një çift, kjo kërkon dëshmi të të ardhurave vjetore nga pensioni jashtë Shqipërisë prej rreth 20 mijë dollarësh në vit.

Ndër destinacionet më të preferuara për pensionistët përfshihen kryeqyteti Tirana, si dhe qytetet bregdetare Durrësi, Saranda dhe Vlora.

Ja çfarë shkruan Forbes për vendet e tjera!

Argjentina – Ofron peizazhe të larmishme, kulturë me ndikim europian dhe kosto jetese rreth gjysmën e SHBA-së. Kujdesi shëndetësor është cilësor dhe më i lirë se në SHBA. Forbes rekomandon Buenos Aires, Córdoba, Mendoza dhe Rosario.
Austria – Spikat për cilësinë e lartë të jetesës, shëndetësinë dhe stabilitetin. Banimi dhe kujdesi shëndetësor kushtojnë më pak se në SHBA, megjithëse kostoja e përgjithshme është e ngjashme. Për qëndrim afatgjatë kërkohet njohuri bazë e gjermanishtes.
Belize – I vetmi shtet anglishtfolës në Amerikën Qendrore, me klimë tropikale dhe kosto të ulëta jetese. Programi për pensionistët e bën të lehtë vendosjen në vend. Dobësi mbetet sistemi shëndetësor, ndërsa uraganet përbëjnë një rrezik natyror.
Kanadaja – Një zgjedhje e mirë për ata që kanë lidhje familjare me vendin ose duan të jetojnë pranë SHBA-së. Ofron siguri, shëndetësi cilësore dhe mundësi qëndrimi deri në gjashtë muaj çdo vit. Kostoja e jetesës është pak më e ulët se në SHBA.
Kolumbia – Ka klimë të ngrohtë, kosto të ulëta dhe një sistem shëndetësor që Forbes e vlerëson si shumë cilësor. Pensionistët mund të marrin lehtësisht leje qëndrimi me të ardhura të caktuara. Medellín, Cartagena dhe Bogota janë ndër destinacionet e preferuara.
Kosta Rika – E njohur për natyrën, biodiversitetin dhe stilin e qetë të jetesës. Kujdesi shëndetësor është cilësor dhe pensionistët mund të përfshihen edhe në sistemin publik. Procedurat për qëndrim konsiderohen relativisht të lehta.
Qipro – Ishull mesdhetar me klimë të ngrohtë, plazhe dhe anglisht të përhapur. Kostoja e jetesës është rreth një të tretën më e ulët se në SHBA. Ofron kujdes shëndetësor të mirë dhe procedura mesatarisht të lehta për qëndrim.
Franca – Tërheq pensionistët me gastronominë, kulturën dhe sistemin shëndetësor shumë cilësor. Jashtë Parisit kostoja e jetesës është dukshëm më e ulët. Marrja e lejes së qëndrimit është më e ndërlikuar, por e realizueshme.
Greqia – Ofron klimë mesdhetare, trashëgimi kulturore dhe kosto më të ulëta jetese se SHBA-ja. Kujdesi shëndetësor është i mirë dhe procedurat për pensionistët janë të arsyeshme. Rreziku nga zjarret mbetet një nga sfidat kryesore.
Irlanda – Vlerësohet për sigurinë, stabilitetin dhe faktin që anglishtja është gjuhë zyrtare. Kostoja e jetesës është afërsisht sa në SHBA. Kërkesat financiare për leje qëndrimi janë ndër më të lartat në listë.
Italia – Ofron kulturë, gastronomi, klimë mesdhetare dhe sistem shëndetësor të shkëlqyer. Kostoja e jetesës është rreth një të tretën më e ulët se në SHBA. Pensionistët mund të kenë akses edhe në sistemin publik shëndetësor.
Malajzia – Tërheq me kosto shumë të ulët jetese, kulturë aziatike dhe anglishten e përhapur. Kujdesi shëndetësor konsiderohet i mirë dhe programi "Malaysia My Second Home" favorizon të huajt. Udhëtimet drejt SHBA-së janë të gjata.
Malta – Ishull mesdhetar me klimë të butë, plazhe dhe anglisht si gjuhë zyrtare. Kujdesi shëndetësor është shumë cilësor dhe i përballueshëm. Programi për pensionistët e bën relativisht të lehtë vendosjen në vend.
Mauricius – Ishull tropikal në Oqeanin Indian me kosto të ulëta jetese dhe kriminalitet të ulët. Qeveria ofron leje 10-vjeçare për pensionistët e huaj. Kujdesi shëndetësor është i mirë dhe i përballueshëm.
Meksika – Afërsia me SHBA-në, klima dhe kostoja e ulët e jetesës e bëjnë një zgjedhje të preferuar. Kujdesi shëndetësor është i lirë dhe pensionistët mund të kthehen lehtësisht në SHBA për trajtime. Leja e qëndrimit merret relativisht lehtë.
Mali i Zi – Ofron plazhe, male dhe kosto jetese më pak se gjysma e SHBA-së. Kujdesi shëndetësor është i pranueshëm, ndërsa blerja e një prone e lehtëson marrjen e qëndrimit të përhershëm. Anglishtja flitet nga një pjesë e mirë e popullsisë.
Panamaja – Klimë e ngrohtë gjatë gjithë vitit dhe kosto rreth një të tretën më e ulët se në SHBA. Kujdesi shëndetësor është cilësor dhe vendi ka një nga programet më të favorshme për pensionistët. Përdorimi i dollarit amerikan është një avantazh shtesë.
Portugalia – Një nga destinacionet më të preferuara për klimën, sigurinë dhe kujdesin shëndetësor. Kostoja e jetesës është dukshëm më e ulët se në SHBA. Leja D7 është rruga kryesore për pensionistët.
Sllovenia – Ofron peizazhe alpine dhe bregdetare, siguri dhe kosto të ulëta jetese. Kujdesi shëndetësor është i mirë dhe i lirë. Anglishtja flitet gjerësisht dhe qëndrimi afatgjatë është relativisht i lehtë.
Spanja – Klimë e ngrohtë, kulturë e pasur dhe kujdes shëndetësor shumë cilësor. Kostoja e jetesës është rreth 30% më e ulët se në SHBA. Pensionistët mund të aplikojnë për vizën "Non-Lucrative Residence".
Tajlanda – Kostoja e jetesës është gati dy të tretat më e ulët se në SHBA. Ofron kujdes shëndetësor shumë cilësor dhe të lirë, si edhe një kulturë ekzotike. Marrja e vizës për pensionistët është e thjeshtë.
Uruguai – Demokraci e qëndrueshme me plazhe, katër stinë dhe sistem shëndetësor cilësor. Kostoja e jetesës është rreth 40% më e ulët se në SHBA. Pensionistët mund të marrin leje të përhershme qëndrimi.
Vietnami – Një nga vendet më të lira në botë për të jetuar, me kosto rreth një të katërtën e SHBA-së. Kujdesi shëndetësor është në përmirësim, por ende jo në nivelin e vendeve perëndimore. Pensionistët përdorin viza turistike të rinovueshme pasi nuk ekziston ende një vizë e posaçme pensioni./K.C/dritare.net