

(sërish me ZJARRET e Nemirovskyt)
“PYES LIBRAT DHE MË PËRGJIGJEN. DHE FLASIN E KËNDOJNË PËR MUA. DISA MË SJELLIN QESHJEN NË BUZË OSE NGUSHËLLIMIN NË ZEMËR. TË TJERË MË MËSOJNË TË NJOH VETVETEN.”
FRANCESCO PETRARCA
***
Një proces njohjeje është edhe libri ZJARRET E VJESHTËS i IRENE NEMIROVSKYT. Proces njohjeje i thelbit të njeriut… nëpërmjet zbulimit të personazheve dhe mënyrës së funksionimit të tyre, sigurisht.
Kam shkruar ndërkaq, një javë në parë, në artikullin me titull “Për demonët, engjëjt dhe luftën” - botuar në Dritare.net - që libri përfshin një hapësirë të gjerë kohore. Nis pak para luftës së parë botërore e mbaron në fund të luftës së dytë botërore. E një hapësirë kaq e konsiderueshme nënkupton ngjeshje informacioni, ngjarjesh dhe PERSONAZHESH…
Një ndër personazhet, Marsiali. Historinë e tij dua tua zbuloj tani…
***
Marsial Brën, pinjoll i një familjeje të mesme borgjeze, pavarësisht shtrëngesave ekonomike, i është përkushtuar studimeve. Më në fund, i diplomuar për mjekësi, optimist, nis të planifikojë të ardhmen. Gjen apartamentin ku do të hapë klinikën, bën gati pllakën e tunxhit që do ta ngjisë mbi derë. Fejohet, i mikluar nga ideja e martesës. Por, ka “harruar” të parashikojë luftën. Është viti 1914. Kësisoj në vend që të ulet në klinikën e tij ku do të presë pacientët dhe në mbrëmje të kthehet në shtëpinë e ngrohtë ku është gruaja, i duhet të niset për në front. Nuk është entuziasti idealist që shkon të shpëtojë botën (sikurse Bernardi, për të cilin kemi folur në shkrimin e mëparshëm) por burri i logjikshëm që nuk i shmanget detyrës ndaj atdheut. Niset e kthehet menjëherë, me leje të shkurtër, vetëm pak kohë, sa për t’u martuar. Tek e fundit, ajo që dëshiron të mendojë është se dikush e pret të kthehet, teksa plumbat i fishkëllejnë pas veshit…
Të nesërmen e dasmës niset për në spitalin e fushimit, vetëm pak kilometra larg frontit, duke marrë me vete ëndrrën e familjes që do të krijojë me të mbaruar lufta. Tereza fle, ai nuk ka dashur ta zgjojë…
***
PIKA E URGJENCËS ËSHTË VENDOSUR NË NJË QILAR; SHTËPIA ËSHTË E FORTË, E VJETËR, QËNDRON MIRË MBI THEMELE. ISHTE NJË BANESË BORGJEZE NË FLANDRËN FRANCEZE, TRI KILOMETRA LARG FRONTIT. DUKEJ E MADHE, KOKËFORTË, E SIGURT, ME KOLONA ANASH DERËS SË ULËT ME GOZHDË TË MËDHA TË NDRYSHKURA.
-SHTËPIA EDHE MUND TË BJERË, POR QILARI DO TË QËNDROJË – KISHTE THËNË MARSIALI – DO TË MBAJË, ËSHTË I FORTË.
POR ATË DITË BINTE SHI. BINTE MBI LLOGORET, MBI FUSHAT PLOT GROPA TË HAPURA SI KRATERE, MBI KUFOMAT E HIRTA APO TË KALTRA SI QIELLI, PËRMBI GËRMADHAT. AI E SHNDËRRONTE DHEUN NË NJË KËNETË KUTËRBUESE.
NË FUND, KANALET E UJERAVE TË ZEZA, QË AKOMA ISHIN NË GJENDJE TË MIRË, SHPËRTHYEN DHE GJITHË AI UJË I NDOTUR, U DERDH BRENDA.
BOMBAT BININ. HERË HERË NGA VIJA E ARMIKUT, HIDHEJ NJË RAKETË QË NDALEJ NJË ÇAST NË QIELL SI NJË YLL E PASTAJ BINTE DUKE NDRIÇUAR NJË PJESË TË MURIT TË RRËZUAR… E BRAKTISËN QILARIN.
***
Lufta është në kulm të saj. E çfarë mund të të bëjë një grua që të pret, pavarësisht ankthit të saj, në një rast të tillë? Asgjë, veç është çliruese të mendosh se dikush shqetësohet për ty ndërsa ti je në mes të rrebeshit, në mes të betejës, mes ulërimave të të plagosurve dhe rënkimeve të të sëmurëve.
Në copëzën më lart, që e kam shkëputur nga libri ZJARRET E VJESHTËS, ngjarjet zhvillohen në spitalin e Marsialit në një moment kulmor të tij: jo vetëm bombardime por edhe mot i keq, shira dhe përmbytje. Spitali po bëhet i papërdorshëm kështuqë doktorit i duhet të organizojë shpërnguljen. Merret me mend nuk është e lehtë. Keqardhja më e madhe është për të plagosurin e sapombërritur. Më rëndë nga të gjithë. Me këmbë të prera. Që të dyja. Marsiali tregohet i kujdesshëm për ta vënë në një barrelë të cilën do ta ngrenë dy burra të fuqishëm. Dhe fillon shpërngulja. Në mot të keq, në shi, në llucë, fillojnë nga pak e nga pak t’i largohen frontit. Pasi kishin ecur nja dy kilometra, Marsiali zbulon batanijen e të sëmurit për ta kontrolluar. Por në vend të tij, një mashtrues imcak rrinte i heshtur. Në një moment shpërqendrimi, mesa duket ai kish hequr burrin pa këmbë nga barrela për t’i zënë vendin, dhe ish mbuluar me batanije. Atëherë Marsiali, kuptohet i xhindosur, kthehet mbrapsht.
NJË MJEK NUK MUND TA LERË NJË TË SËMURË NË DUART E FATIT, ashtu sikurse një ushtar nuk mund ta lerë një të plagosur nën plumbat e armikut. Mjafton kaq për të ecur sërish për dy kilometra në drejtim të frontit, duke iu afruar luftës e plumbave, vdekjes së mundshme… vetëm në shpëtim të një jete.
Dhe mbërrin në spitalin e braktisur ndërsa grupi vazhdon rrugën e kundërt. Atje e gjen të plagosurin e braktisur. E tërheq nga qilari dhe me të në krahë ngjitet në dhomat e sipërme të shtëpisë. E sistemon në shtratin e madh dhe, i dërrmuar nga lodhja, ulet dhe vetë.
Atë çast një bombë bie mbi shtëpi, pikërisht në dhomën ku ndodhet doktori me të plagosurin. Një bombë që e ndan dhomën përgjysmë. Ajo pjesë e dhomës ku është shtrati me burrin pa këmbë, mbetet e paprekur, pjesa tjetër ku doktori është ulur në një karrige, për të marrë veten nga lodhja… shembet e tëra…
***
“Fati i njeriut, sa fort i ngjan erës”… m’u kujtua një varg poezie, autori i së cilës nuk më vjen ndër mend./dritare.net
Titulli - ZJARRET E VJESHTËS
Autorja - IRENE NEMIROVSKY
Përkth. - DIANA ÇULI
Bot. – IDK
Fq. 286
850 lekë

















