Eric Wendt nis sot misionin si ambasador i SHBA-së në Shqipëri!
Dritare.net
Pas gati 3 vitesh, Ambasada Amerikane në Tiranë do të ketë sërish një ambasador. Eric Wendt nis këtë të shtunë misionin e tij në Shqipëri, duke pasuar Yuri Kim, e cila u largua në qershor të vitit 2023. Wendt do të pritet në orën 11:00 nga Presidenti Bajram Begaj, të cilit do t’i dorëzojë letrat kredenciale. Më pas, do të zhvillojnë një takim kokë më kokë.
Prej largimit të Yuri Kim, në krye të misionit diplomatik amerikan në Tiranë ka qenë Nancy VanHorn, si e ngarkuar me punë. I propozuar nga Presidenti Donald Trump dhe i konfirmuar nga Senati amerikan më 6 gusht, Wendt vjen në Tiranë me një profil kryesisht ushtarak dhe të sigurisë. Ai ka mbi 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe në Forcat Speciale “Green Berets”, ndërsa ka drejtuar edhe Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s.
Prioritetet e mandatit të tij në Shqipëri, Wendt i bëri të qarta që në dëgjesën e 20 majit në Senat. Mes tyre renditi luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe sigurinë kibernetike.
Wendt shprehu mbështetje për SPAK, duke vlerësuar edhe bashkëpunimin e Strukturës së Posaçme me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Sipas tij, puna e SPAK mbetet kyçe për sa kohë institucioni ruan pavarësinë dhe qëndron larg ndikimeve politike.
Më 2 tetor, ambasadori i ri do të zhvillojë edhe pritjen zyrtare, ku të ftuar do të jenë përfaqësues të politikës shqiptare nga të gjitha krahët.