Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ekskluzive/ Tu Si Que Vales, spektakli që rrëmbeu të enjten

Ekskluzive/ Tu Si Que Vales, spektakli që rrëmbeu të enjten

Nga Dritare.net

Vizion Plus, transmeton çdo të enjte, në orën 21:00, spektaklin e madh Tu si Que Vales, i cili ia ka dalë të rrëmbejë audiencën politike të së enjtes. Përballja politike Klan –Top Channel- ORA NEWS –News 24, tanimë ka kaluar në vend të dytë, përballë audiencës së këtij programi.

Ky fakt ka detyruar njërin prej moderatorëve më të vjetër të së enjtes, të gjejë vend për ndryshime, duke dalë me tema më afër spektaklit, siç ishte e enjtja që shkoi, kur Blendi Fevziu, në vend të bisedës së zakonshme politike, zgjodhi të tregojë  për të dashurat dhe paratë e Donald Trump.

Sepse  është e vështirë të konkurrosh një spektakël dhe sidomos kur ai vlen, siç është Tu Si Que Vales.

Tu Si Que Vales, është mundësia e artë që ka çdo i panjohur të bëhet i famshëm, është vendi i duhur për të treguar talentin dhe për t’u vlerësuar nga një juri me emra të njohur të ekranit. Por njëkohësisht është një eksperiencë e paharrueshme, siç shprehen edhe konkurrentët pjesëmarrës. Një ambient miqësor, ndryshe nga ideja që krijohet për spektaklin; luks dhe garë e çmendur. Tu Si Que Vales është një familje. Ndjesi kjo që ta jep edhe vetë Vizion Plus, një televizion shumë familjar.

Të qeshura pafund, çiltërsi dhe shumë argëtim, por shpesh herë edhe lot me historitë e njerëzve të ndryshëm, të cilët me talentin e tyre frymëzojnë e dhurojnë një këndvështrim të ri për mundësitë që të fal fati, duke të bërë një yll ekrani.

Në çdo episod nuk mungojnë as batutat, e sidomos nga një juri e përzgjedhur, që është shumë origjinale në mënyrën sesi gjykon. Nga impakti që ata krijojnë me performancat, gjithçka i'u vjen natyrshëm.

ssd-master-1-04_24_44_24-still006

Juria përbëhet nga tre anëtarë; Holta Kolaneci, Agron Llakaj, Kastriot Çaushi. Pjesë e jurisë është edhe publiku i përbërë nga 51 anëtarë, vota e të cilëve përfaqësohet prej mexosopranos, Vikena Kamenica.

Dyshja simpatike e moderatorëve Florian Agalliu dhe Çiljeta, bëjnë që çdo episod të jetë ndryshe. Ndërkohë, Çiljeta me look-un e saj, që të lë pa fjalë, kthehet çdo të enjte në lajmin e mbrëmjes.

15219995_559075977621331_6833776504907037517_n

Është vet Çiljeta e cila vishet në atelienë e djalit të artë të modës, Ardi Asllanit. Këngëtarja është një prej artisteve më të bukura dhe qëllimi i çdo veshjeje të saj, është të të befasojë , të tregojë stil  dhe jo banalitet, veshje dhe jo zhveshje,  gjë që Çiljeta me Ardin e kanë arritur, duke e kthyer imazhin e moderatores , në një spektakël më vete.

Ciljeta

Ndërsa ndjek provat e spektaklit, të cilat vazhdojnë me orë dhe ditë të tëra, për të arritur tek e enjtja që të lidh pranë ekranit, shikon konkurrentët që presin radhën për të hyrë në skenë e të tregojnë talentin e tyre. Janë të moshave, kulturave dhe kombësive të ndryshme. Kjo, pasi janë të shumtë ata që vijnë në Tu Si Que Vales, nga Italia, Izraeli, Amerika, Turqia, Greqia etj.

Ata e shohin skenën e Tu Si Que Vales si një dritare televizive ndërkombëtare, sepse ky spektakël është një patentë e certifikuar, ku nuk ka rëndësi kush je, nga je, por çfarë di të bësh.

Performancat janë nga më të larmishmet, duke nisur nga këndimi, kërcimi, aktrimi, akrobacia, artet marciale. Deri në çudira që nuk janë parë më parë, siç është varja e vetes nëpërmjet ganxhave të kapura në shpatulla, futja e gozhdëve në hundë dhe iluzione të cilat shpesh krijojnë panik. Për këtë arsye, nuk mungojnë asnjëherë, pas kuintave, mjekët, të cilët qëndrojnë në gatishmëri të plotë.

Të gjithë e kemi një aftësi. Na duket e zakonshme, por kur e ndan me Tu Si Que Vales, e kupton se në fakt, është e jashtëzakonshme. Spektakle si ky, jane nr. 1 i telekomandes, sepse jo thjesht argëtojnë, ato edukojnë dhe frymëzojnë.

15109393_556480661214196_68044130091815364_n

Ky është Tu Si Que Vales, një spektakël per ty, ku çdokush është vetvetja. Spektakli është nga më të ndjekurit e sezonit dhe si i tillë premton të vazhdojë/dritare.net

Doni të njiheni me stafin e Tu Si Que Vales? Ja kush janë ata!

15219971_559104610951801_7934168844732889299_n

Holta Kolaneci- Anëtare jurie dhe Producente

14925297_550782578450671_6892978446958048357_n

Jam e kënaqur nga stafi i Tu Si Que Vales, por jo nga vetja. Unë gjithmonë kërkoj më shumë, sepse e di që mund të bëj më shumë. Çdo vit, çdo punë, rris pritshmërinë nga vetja dhe përcaktoj kufij të rinj. E di, qe koha ecën, publiku ndryshon dhe kërkon më të mirën. Besoj se jemi në rrugë të mbarë, sepse publiku ka shfaqur një interes më të lartë këtë vit, nëse do e krahasonim me vitin e kaluar.

Ne akoma nuk kemi ardhur në fund të këtij edicioni të dytë dhe janë kaq shumë zërat që na kërkojnë edhe një edicion të tretë. Kur e nisëm këtë vit, kisha menduar që do ta lija me kaq, por kërkesat janë të shumta dhe nuk mund t’i zhgënjejmë.

Arsyeja e kësaj marrëdhënieje që ky spektakël ka krijuar me publikun, besoj se është vetë spektakli, që në qendër të tij ka njeriun e zakonshëm. Mesa duket, ndryshe nga ç’besohet, audienca është ngopur me performancën e Vip-it dhe kërkon të shohë veten, kërkon të shohë njeriun e thjeshtë.

Vënia në qendër të spektaklit të një njeriu të zakonshëm, me aftësitë dhe talentet e tij të pazakonshme, e ka sjellë audiencën e së enjtes sonë në shifra që nuk duan shumë komente. Ne konsultojmë herë pas here sondazhe të besueshme, edhe pse asnjëherë nuk ka qenë qëllimi im t’i marr audiencën politikës.

Por mendoj se njerëzit preferojnë të shohin një talent show, në vend të një programi politik, pasi politika i ka lodhur. Sigurisht, ka njerëz që zgjedhin të shohin politikën të enjten mbrëma. Do të ketë gjithmonë. Ata janë të ndryshëm nga spektatori i Tu Si Que Vales, i cili ndryshe nga një emision politik, ku spektatori është pasiv, këtu befas nga spektator mund të bëhet pjesëtar. Nëse çohet nga divani ku e sheh programin dhe vjen të trokasë në spektakël, ai mund të bëhet pjesë e tij. Këtë të bën ky lloj programi, të ndryshon jetën, pa të gënjyer, pa të përdorur, thjesht duke të frymëzuar.

Tu Si Que Vales është një prej spektakleve më të thjeshta, më të bukura, më reale, njerëzit janë vetvetja. Ne nuk shtiremi, si pas kuintave dhe në shfaqje.  Më vjen keq që ka shumë falsitet nëpër ekranet dhe në spektaklet shqiptare. Por për fat, publiku shqiptar është shumë i aftë të dallojë ç’vlen dhe ç’gënjen, ç’është e shtirur nga ç’është e ndjerë.

Nuk ka qenë e vështirë të marrësh patentën për ta sjellë Tu Si Que Vales në Shqipëri, kjo edhe sepse ne tashmë e kemi treguar imazhin profesional të kompanisë që prej Dancing with the Stars. Prandaj nuk ka pasur hezitime për të na e dhënë të drejtën e patentës. Vështirësia fillon kur të duhet të punosh me atë patentë, por besoj se na ka ndihmuar shumë eksperienca që kemi fituar me Dancing with the Stars. Kjo, na ka bërë të besueshëm dhe të pëlqyeshëm edhe te publiku. Është pëlqyer Dancing dhe ne e kishim një bazë suksesi. Njerëzit tashmë e dinë kush jemi ne, e kanë të krijuar perceptimin për ne dhe punën tonë.

Dancing with the Stars mezi pritet e ne sigurisht që do ta fillojmë prapë. Do e mbyllim bashkë këtë vit me Tu Si Que Vales dhe kur të vijë 2017, do të rikthejmë në ekran emocionet e kërcimit me yjet.

 Kastriot Çaushi- Anëtar jurie

14962720_553752534820342_5754661369096578675_n

Të jesh anëtar i kësaj jurie të detyron të jesh i kujdesshëm dhe shumë i përgjegjshëm, pasi konkurrentët janë njerëz që guxojnë, që provojnë daljen publike për herë të parë, që kanë ankthe, dyshime, emocione të forta dhe unë gjithmonë mundohem të mos qesh me kë të bën edhe për të qeshur, apo të mos fyej kënd, duke i vënë në dukje mungesën e aftësive. Sheh shumë gjëra dhe persona të ndryshëm në një kohë shumë të shkurtër. Prandaj duhet të jesh shumë i përqendruar, në mënyrë që t’i gjykosh konkurrentët në mënyrë objektive. Kjo është dhe arsyeja pse unë nuk vij vetëm ditën e konkurrimit, por ditë më parë, edhe gjatë provave. Për t’i njohur personazhet paraprakisht, që të jem sa më i përgjegjshëm në dhënien e vlerësimit, ditën e spektaklit.

Në Shqipëri ka talente, por ne nuk jemi një shoqëri e hapur, gjithmonë jemi mësuar me skema dhe rregulla strikte. Si e tillë, ka qenë e vështirë të zgjerohemi në shumë drejtime. Unë mendoj se talenti ka lidhje edhe me gjendjen ekonomike, që të hap mundësinë për të mësuar e provuar gjëra të reja. Ne dimë tre-katër gjëra, të kërcejmë, të këndojmë, të aktrojmë, e të ketë larmishmëri konkurrimesh është pak e vështirë. Dhe ky spektakël hap një dritare për ta bërë këtë gjë, janë të shumta talentet dhe aftësitë e njerëzve që konkurrojnë. Në fillim isha pak skeptik, jo në realizmin e spektaklit, por në ato numra që do të konkurronin. Por kam parë që ka shumë larmishmëri dhe argëtim.

Më pëlqen shumë që vijnë edhe të huajt, ata i bëjnë mirë jo vetëm spektaklit dhe konkurrentëve shqiptarë, por edhe publikut. Pasi dhe ai shqiptar që ka një talent të fshehur, që nuk e di se aftësia që zotëron quhet talent, ndodh që ngacmohet, kur sheh një të huaj në një talent show dhe vjen.

Më ka pëlqyer shumë serioziteti, gatishmëria, përkushtimi i grupit. Për mua është kontakti i parë me Vizion Plusin, por ambienti i punës është shumë komod.

Spektakli është edhe një mundësi shumë e mirë për të vrojtuar njerëz, fenomene, eksperienca. Jam shumë i relaksuar kur vij në punë, marr shumë kënaqësi. Për mua, Tu Si Que Vales, nuk është punë, por një terapi qetësuese.

Agron Llakaj – Anëtar jurie

14992046_553752631486999_3481405973336503793_n

Duke qenë një produksion i dytë, gjërat janë më të arrira, më profesionale, spektakli është bërë edhe më shumë popullor. Numri i madh i kërkesave në audicione, ndjekshmëria e lartë, tregojnë që Tu Si Que Vales e ka krijuar atë fizionominë dhe origjinalitetin e vet. Me këtë spektakël njerëzve iu ofrohet hapi i parë për të shkuar te ëndrra e tyre.

Jam një spektator i kualifikuar, nuk dua ta them specialist, sepse natyrisht që nuk mund të jem i aftë në çdo gjë. Por unë gjithmonë them mendimin tim njerëzor, duke u munduar t’i motivoj njerëzit.

Dhe në spektaklin e parë, dhe tani në të dytin, përjetoj një emocion të veçantë kur shoh që vijnë njerëz me aftësi të kufizuara, të shikimit, të dëgjimit etj. Ata vijnë dhe provojnë, tregojnë se ka dhe këndvështrime të tjera, sesi duhet ta jetosh jetën. Kjo na bën ne të kuptojmë pasionin, vullnetin, punën, ne që i kemi të gjitha, por që shpesh promovojmë anën tjetër të medaljes, mosdashurinë. Në këtë spektakël kanë ardhur shumë njerëz që na kanë treguar dashurinë.

Tu Si Que Vales ka identitetin e vet, por më e rëndësishmja është që flasim për një spektakël shumë familjar. Një spektakël me të cilin mund ta ndash më së miri mbrëmjen e të enjtes, se për të shtunën, dihet që e ndajmë me AL PAZAR.

Florian Agalliu- Moderator

14721719_547717755423820_3791943320077272728_n

Tu Si Que Vales është një talent show i cili në thelb ka diferencën, njerëz sa më të ndryshëm, me karaktere e talente të ndryshme. Duke qenë një emision i ndryshimit, kjo e bën të ndryshëm  nga spektaklet e tjera.

Në Tu Si Que Vales mosha është nga 1 vjeç, e deri në infinit. Është një show për të gjithë. Kushdo që ka pasur dëshirë e një talent ka ardhur. Kanë dominuar fëmijët e vegjël që janë shumë të lezetshëm në shpalosjen e aftësive të  tyre, por edhe për mënyrën sesi sillen në skenë. Vijnë më pas moshat e mesme energjike, që kanë shumë fuqi e potencë, ata shpesh e përfshijnë edhe publikun. Dhe moshat e treta, të cilët nuk janë të shumtë në numër, por janë për t’u përgëzuar që mbajnë ndezur pasionin e tyre dhe nuk kanë turp ta shfaqin para të tjerëve.

Edhe në audicione, pjesëmarrja ka qenë shumë e mirë, kërkesat kanë qenë të larta. Ndër të tjera ka spikatur qyteti i Beratit i cili ka sjellë shumë talente. Por Shqipëria ka shumë talente dhe unë prandaj besoj, se tre apo katër sezone të tjera, Tu Si Que Vales do të vazhdojë.

Çiljeta Xhilaga- Moderatore

15032147_553739584821637_1986199169722196678_n

Unë e kam provuar moderimin që në moshën 17 vjeçare, por këtu kemi të bëjmë me një spektakël me përmasa të mëdha. Dhe normalisht ke emocione të tjera kur sheh talente, njerëz të ndryshëm, që kanë aftësi shumë të veçanta dhe të bukura. Unë jam e lumtur që jam pjesë e këtij spektakli.

Jam natyrë që shkoj mirë me të gjithë dhe nuk e kam pasur asnjëherë problem përshtatjen, e kam të natyrshme. Por edhe stafi me të cilin unë punoj është shumë i mirë, kemi një marrëdhënie perfekte me të gjithë, përshtatemi me njëri-tjetrin. Jam shumë e kënaqur.

Dhe më e rëndësishme është, që më pëlqen ky spektakël, pasi janë të shumta emocionet, ka momente që prekem, shpesh më kanë dalë edhe lot nga sytë, kur shoh njerëz që të prekin me historitë e tyre. Aty kupton që Zoti të ka bekuar me shumë gjëra, që disa njerëz të tjerë nuk i kanë dhe duhet të ndjehemi falënderues. Këto histori të kthejnë me këmbë në tokë dhe të ndihmojnë të vlerësosh jetën që bën dhe dhuratat e saj për ty./dritare.net