Na ndiqni edhe në

Shqip

E vërteta e pronave në Shqipëri! Flet Pëllumb Xhufi

Problematika e pronave në Shqipëri vazhdon të mbetet një labirint ligjor dhe social, por origjina e tij buron thellë në administrimin territorial të Perandorisë Osmane. Në një diskutim të gjerë mbi mesjetën dhe periudhën e vonë osmane, në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, historiani Pëllumb Xhufi ka zbërthyer evolucionin e sistemit pronësor që formësoi elitën shqiptare dhe krijoi kapitalizmin e parë vendas, duke përfshirë një rishikim të thellë të figurës së Ismail Qemalit.

Fillimisht, Perandoria Osmane operonte përmes sistemit të "Spahinjve". Toka ishte ekskluzivisht pronë e Sulltanit dhe u jepej kalorësve (spahinjve) në përdorim si shpërblim për shërbimin e tyre ushtarak. Sa herë që sulltani zhvillonte fushata, qoftë në rrethimin e Vjenës apo në Hungari, spahinjtë shqiptarë ishin të detyruar të grumbullonin trupa nga tokat që administronin dhe t'i bashkoheshin frontit. Kjo pronë, thotë Xhufi, nuk mund të trashëgohej lirisht; kur spahiu ndërronte jetë, toka teorikisht i rikthehej Sulltanit.

Kur u dobësua Perandoria Osmane, nuk kishte më pushtime të reja dhe nuk po zgjerohej më. Në këtë situatë filloi të rritej pushteti lokal i princërve në periferi, të cilët nisën t’ua trashëgonin pronat djemve dhe pasardhësve të tyre pa marrë miratimin, pa marrë imzanë e Sulltanit. Pastaj u kalua në fazën e çifligut, që ishte tashmë një pronë e trashëgueshme. Perandoria nuk e ligjëronte në fillim, por më vonë e ligjëroi. Në fund të shekullit XVIII kjo u pranua zyrtarisht dhe u krijuan pashallëqet. Ali Pashë Tepelena apo Bushatlinjtë e Shkodrës kishin tashmë përgjegjësinë të çonin jo më 30 ushtarë, por 3 mijë ushtarë për Sulltanin. Në fakt, shpesh nuk e bënin as këtë, sepse ishin bërë shumë të fuqishëm dhe kishin ambiciet e tyre për të krijuar shtetet e tyre.", thotë profesor Xhufi.

Ky tranzicion i pronave krijoi elita të reja kapitaliste. Një ndër shembujt më elokuentë të këtij elitarizmi perëndimor dhe kapitalist shqiptar është Ismail Qemali. Shpesh i parë vetëm përmes thjerrëzës së nacionalizmit idealist, Xhufi evidenton se Babai i Kombit ishte gjithashtu një nga sipërmarrësit më mendjehapur të kohës. Ndryshe nga gojëdhënat që pohojnë se ai shiti pronat për kauzën e Shqipërisë, dokumentet tregojnë se gjatë ndarjes së pasurive të familjes së njohur Vlora, Ismail Qemali mori në pronësi minierën e Selenicës.

Ai ishte një vizionar reformator, thotë Xhufi, që angazhohej thellë në sipërmarrje ndërkombëtare. Zotëronte punishte të përpunimit të drurit në Liban dhe aksione në miniera në Bullgari, shpesh në bashkëpronësi me diplomatë perëndimorë, përfshirë ish-ambasadorin e Britanisë së Madhe në Stamboll. Lidhja e tij me britanikët reflektonte një besim të thellë politik te Perandoria Britanike për formësimin e Shqipërisë. Fatkeqësisht për të dhe për kauzën shqiptare, strategjia britanike e asaj kohe prioritarizoi mbështetjen pa kushte ndaj Greqisë për shkak të kontrollit strategjik të ishujve të detit Egje, një politikë që izoloi pretendimet shqiptare pas rënies së Perandorisë Osmane./dritare.net