Deputetja Sara Mila paraqitet në SPAK, ja për çfarë u pyet!
Dritare.net

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, është paraqitur për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku është marrë në pyetje për rreth një orë në kuadër të hetimeve për dyshimet për korrupsion zgjedhor gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, Mila deklaroi se ishte pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen dhe se do të ishte e gatshme të paraqitej sa herë që organi i akuzës ta kërkonte.
“Isha si person në dijeni. Kalvari për të hedhur baltë i politikës së vjetër do të përfundojë. Sa herë SPAK të ketë nevojë për fjalën time, do të jem këtu sa herë të jetë e nevojshme. Faleminderit, se po më presin qytetarët për Ditën e Çlirimit”, tha Mila.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Mila fitoi mandatin e deputetes nga lista e hapur e Partisë Socialiste, duke u renditur si kandidatja më e votuar në qarkun e Elbasanit, me 20 225 vota.
Sipas raportimeve mediatike, hetimi nisi fillimisht në Prokurorinë e Elbasanit dhe lidhet me dyshimet se zyrtarë të pushtetit vendor shpërndanin në mënyrë selektive ndihmat sociale, në këmbim të votave për Partinë Socialiste.
Dosja është ndarë në dy fraksione. Njëri prej tyre është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Elbasanit, ndërsa pjesa që lidhet me dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në këtë çështje i është kaluar SPAK-ut, pas shpalljes së moskompetencës nga prokuroria vendore./L.F-dritare.net