
Denoncim/ Shqiptari në Greqi kërkon ndihmë nga shteti shqiptar, për dy djemtë me autizëm
Dritare.net

Në redaksinë e dritare.net na shkroi një qytetar nga Shkodra me emrin Prendush Ndokaj, i cili prej 18-vjetësh jeton në Greqi.
Ai na tregon rastin e dy djemve të tij, njëri 20 vjeç, ndërsa tjetri 15-vjeç, të cilët janë të diagnostikuar më autizëm.
Djali i madh është diagnostikuar në moshën 2 vjeç e gjysmë, dhe është në një fazë më delikate sesa djali tjetër.
Komisionet shëndetësore në Greqi i kanë nxjerrë të dy mbi 80% invalid, ndërkohë fëmijët e tij nuk marrin asnjë lloj ndihme financiare.
Pas kërkesës që ka bërë në institucionet greke dhe në Ambasadën Shqiptare në Greqi, atij i është refuzuar kërkesa, pasi shteti shqiptar nuk ka lidhur kontratën përkatëse, që emigrantëve me aftësi të kufizuara në Greqi, t’u derdhen kontribute në vendin ku jetojnë.
Ndokaj ka dërguar kërkesën e tij prej vitit 2001. Ai ka bërë kërkesë edhe në disa institucione në Shqipëri, te Kryeministria, Ministria e Diasporës, si dhe të Avokati i Popullit, ku vetëm ky i fundit është përgjigjur duke i thënë që problemi qëndron te shteti grek.
Prej kaq vitesh të sëmurë, fëmijët e tij nuk kanë marrë asnjë përkrahje financiare, përveç të madhit, i cili ka marrë gjatë një periudhe 3-vjeçare (2010-2013), kur ai jetonte në Shqipëri, me gjyshin.
Ndokaj kërkon nga institucionet shqiptare që problemi i tij të zgjidhet, dhe që shteti të përgjigjet për emigrantët që jetojnë jashtë kufijve, që fëmijët e tij të marrin ndihmë ekonomike, në bazë të nevojave./dritare.net

















