Na ndiqni edhe në

Shqip

Kur doja të hidhesha nga kati i katërt i shkollës në 1997-ën! Rrëfimi tronditës i violinistes

Violinistja Valbona Malaj Arnaboldi ka rrëfyer një nga episodet më të vështira të jetës së saj gjatë trazirave që përfshinë Shqipërinë në vitin 1997. Teksa vendi po përballej me kaos, pasiguri dhe mungesë të rendit publik, artistja u gjend përballë një situate që mund t’i kushtonte jetën, ndërsa ishte në studion e shkollës ku studioi violinë.

“Unë kisha zakon të shkoja të studioja në Lice dhe shpesh ndodhte që mbetesha krejt vetëm. Të tjerët largoheshin, ndërsa unë vazhdoja të studioja. Rrija deri vonë, ndonjëherë deri në mesnatë, bëja xhiron time të zakonshme dhe më pas kthehesha në konvikt. Kjo ishte bërë pjesë e rutinës sime. Edhe në atë periudhë të vështirë, kur nuk ishte aspak e sigurt të dilje natën, unë vazhdoja ta bëja këtë, sepse po përgatitesha për një konkurs në Rumani dhe shkollat ishin mbyllur. Një natë dëgjova huliganë që hynë në godinë. Dikush u kishte thënë se aty ndodhej një violiniste dhe papritur dëgjova emrin tim: ‘Ku je, Valbona?’. Dëgjova ulërima dhe zhurma të frikshme. Për fat, aty ndodhej një derë e shkëputur. E mora dhe e vendosa përpara hyrjes së klasës, duke e bllokuar bashkë me radiatorin. Ata përpiqeshin të hapnin derën, por unë qëndroja në heshtje, me dritat e fikura. Në një moment menduan se nuk kishte njeri brenda dhe u tërhoqën. Gjatë gjithë asaj kohe isha ulur pranë dritares. Atëherë kuptova se ato historitë për heroinat që hidhnin veten nga kështjellat për të mos rënë në duart e armikut, nuk ishin thjesht legjenda. Kisha vendosur që, nëse dera do të hapej, do të hidhesha. Ishte kati i katërt dhe poshtë ishte vetëm beton. E dija se shanset për të shpëtuar ishin minimale, por nuk doja të bija në duart e tyre.”, rrëfen Valbona./K.C/dritare.net