Buxheti 2027/ Ministri Malaj: 87.2 miliardë lekë për shëndetësinë, rritje pagash për policët
Dritare.net

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi këtë të enjte projektbuxhetin për vitin 2027 në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend. Sipas tij, shpenzimet publike për vitin e ardhshëm do të kalojnë 10 miliardë euro, ndërsa të ardhurat buxhetore parashikohen në rreth 9.4 miliardë euro.
Gjatë prezantimit, Malaj renditi si prioritete kryesore mirëqenien sociale, stabilitetin fiskal, investimet publike, reformat dhe integrimin evropian.
“Janë tre prioritete themelore: mirëqenia sociale, stabiliteti fiskal dhe investimet, reformat dhe integrimi evropian”, deklaroi ministri.
Sipas tij, projektbuxheti parashikon më shumë fonde për pensionet, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, arsimin, mbrojtjen dhe sigurinë.
Shëndetësia dhe investimet publike
Shëndetësia parashikohet të marrë rreth 87.2 miliardë lekë, me fokus edhe te barnat dhe shërbimet mjekësore.
Ndërkohë, investimet publike për vitin 2027 sipas ministrit pritet të kalojnë 200 miliardë lekë. Për mbrojtjen parashikohet një nivel financimi prej 2.35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
Ministri Malaj u shpreh se ekonomia shqiptare ka vijuar rritjen, duke përmendur konsumin e brendshëm dhe turizmin si faktorë të rëndësishëm të aktivitetit ekonomik.
“Inflacioni vijon të mbetet në normën e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë dhe vazhdon që të mbetet në vlerën 3%. Investimet e huaja direkte vazhdojnë rritjen e qëndrueshme”, tha Malaj.
Rritje pagash për punonjësit e Policisë së Shtetit
Një nga masat e parashikuara në projektbuxhetin e ri lidhet me rritjen e pagave në Policinë e Shtetit.
Sipas të dhënave të prezantuara, rreth 8,500 punonjës policie me gradën inspektor pritet të përfitojnë një rritje prej 20 mijë lekësh të reja, duke e çuar pagën bazë në 93 mijë lekë. Për kategoritë e tjera të punonjësve parashikohen rritje nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë.
Bursat e studentëve dhe financimi për arsimin
Projektbuxheti parashikon gjithashtu mbi 1.1 miliardë lekë për bursat e studentëve.
Për arsimin janë parashikuar 400 milionë lekë për infrastrukturën arsimore dhe 500 milionë lekë për programin “After School”.
Në fokus janë edhe pensionet dhe mbrojtja sociale, për të cilat ministri përmendi një fond prej 20 miliardë lekësh.
PD bojkoton mbledhjen
Prezantimi i projektbuxhetit u zhvillua pa pjesëmarrjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Sipas PD-së, deputetëve nuk u ishte vënë në dispozicion projektbuxheti i vitit 2027 dhe dokumentacioni shoqërues. Opozita pretendon gjithashtu se mbledhja është thirrur pa respektuar afatin 48-orësh të parashikuar në Rregulloren e Kuvendit.
Për këtë arsye, demokratët kërkojnë që dokumentet të vihen në dispozicion të deputetëve dhe shqyrtimi i projektbuxhetit të zhvillohet me kohë të mjaftueshme për analizë dhe debat.
Projektbuxheti i vitit 2027 pritet të vijojë procedurat parlamentare, ku do të shqyrtohen më tej ndarja e fondeve dhe masat e parashikuara për sektorët e ndryshëm./L.F-dritare.net