Na ndiqni edhe në

Bota

Plani i Trump për paqen në Ukrainë. Reagon Putini

Plani i Trump për paqen në Ukrainë. Reagon Putini

Një version i propozimit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë “në parim mund të formojë bazën për një marrëveshje përfundimtare paqeje”, deklaroi sot Kremlini, pas një bisede telefonike midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Sipas njoftimit zyrtar, të dy liderët diskutuan planin amerikan, ndërsa Putini theksoi se versioni i dokumentit që Moska ka shqyrtuar është “në përputhje me diskutimet e zhvilluara në samitin ruso-amerikan në Alaska”. Kremlini shtoi se Rusia e ka rikonfirmuar interesin e saj për një zgjidhje politike dhe diplomatike të krizës në Ukrainë.

Më herët, Kremlini deklaroi se nuk ka parë ende informacion zyrtar mbi rezultatin e bisedimeve të zhvilluara dje në Gjenevë ndërmjet SHBA-ve dhe Ukrainës.

Ky qëndrim sugjeron se Moska i referohet versionit fillestar të planit amerikan me 28 pika, një draft që përfshin kërkesa që Ukraina i konsideron vija të kuqe, si dorëzimi i territoreve, kufizimi i madhësisë së ushtrisë dhe heqja dorë nga anëtarësimi në NATO, në këmbim të ndërprerjes së luftimeve.

Ndërkohë, Presidenca e Turqisë njoftoi se Erdogan i ka thënë Putinit se Turqia “është e gatshme të kontribuojë, ashtu si në të kaluarën, në çdo iniciativë diplomatike që lehtëson kontaktet direkte dhe hap rrugën drejt paqes së qëndrueshme në rajon”./K.C/ dritare.net