Na ndiqni edhe në

Bota

Ish-presidenti dënohet me 27 vite burg për tentativë grushti shteti

Ish-presidenti dënohet me 27 vite burg për tentativë grushti

Brazili është tronditur nga vendimi historik i Gjykatës së Lartë, e cila dënoi ish-presidentin Jair Bolsonaro me 27 vite e 3 muaj burg, pasi e shpalli fajtor për drejtimin e një komploti ushtarak me synim qëndrimin në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022 ndaj Luiz Inácio Lula da Silva.

Vendimi u mor nga një trupë prej pesë gjyqtarësh të Gjykatës së Lartë, ku katër votuan për fajësi dhe një për pafajësi. Përveç burgimit, Bolsonaro u pezullua nga e drejta për t’u kandiduar në zgjedhje deri në vitin 2033.

Avokatët e tij e cilësuan dënimin si “absurdisht të tepruar” dhe paralajmëruan apelim, megjithëse ekspertët ligjorë theksojnë se kjo do të jetë e vështirë, pasi zakonisht kërkohet të paktën dy vota për pafajësi për të hapur rrugën e apelimit.

Bolsonaro, i cili është 70 vjeç dhe aktualisht ndodhet nën arrest shtëpie si rrezik arratisjeje, nuk mori pjesë në fazën finale të gjyqit. Ai ka e cilësuar procesin një “gjueti shtrigash” që synon të pengojë rikthimin e tij në politikë.

Reagimet ndërkombëtare nuk munguan. Ish-presidenti amerikan Donald Trump tha se vendimi ishte “shumë befasues”, duke e krahasuar me përpjekjet kundër tij. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Marco Rubio, e quajti vendimin “të padrejtë” dhe paralajmëroi masa ndaj Brazilit. Ministria e Jashtme braziliane reagoi menjëherë duke theksuar se kërcënime të tilla “nuk do ta trembin demokracinë”.

Prokuroria akuzoi Bolsonaro se kishte nisur planin për grusht shteti shumë përpara zgjedhjeve, duke ushtruar presion mbi ushtrinë, duke shpërndarë dyshime të pabazuara mbi sistemin elektoral dhe duke qenë në dijeni të planeve për atentate ndaj presidentit Lula, zv/presidentit të tij dhe një gjyqtari të lartë.

Së bashku me të u dënuan edhe shtatë bashkëpunëtorë të afërt, përfshirë ish-ministra të mbrojtjes, një ish-shef të shërbimeve sekrete dhe ish-ministrin e sigurisë.

Trupa gjyqësore vlerësoi se tentativa kulmoi me sulmimin e institucioneve më 8 janar 2023 nga mbështetësit e Bolsonaro-s, ku u arrestuan mbi 1.500 persona.

Gjyqtari Alexandre de Moraes paralajmëroi se Brazili “ishte shumë pranë rikthimit në diktaturë”, ndërsa gjyqtarja Cármen Lúcia e krahasoi përpjekjen për grusht shteti me një “virus që mund të shkatërrojë shoqërinë nëse nuk ndalet”.

Bolsonaro rrezikon ta kalojë pjesën tjetër të jetës pas hekurave, ndërkohë që mbrojtja e tij do të përpiqet të sigurojë mbajtjen në arrest shtëpie dhe uljen e dënimit./L.F-dritare.net