
Donald Trump për BBC: Jam i zhgënjyer nga Putini, por nuk e kam mbyllur me të
Dritare.net
Në një intervistë ekskluzive për BBC-në, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh i zhgënjyer nga Vladimir Putin, por theksoi se nuk e ka mbyllur ende kapitullin me të. Gjatë telefonatës 20-minutëshe nga Shtëpia e Bardhë, Trump foli për një sërë çështjesh ndërkombëtare dhe të brendshme, përfshirë luftën në Ukrainë, marrëdhëniet me NATO-n, Mbretin Charles, emigracionin dhe planin e tij për një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.
Putin dhe Ukraina: Jam i zhgënjyer, por jo i dorëzuar
Trump deklaroi se kishte menduar katër herë se një marrëveshje paqeje me Rusinë ishte afër, por çdo herë shpresat ishin rrëzuar. Ai përshkroi një marrëdhënie të tensionuar me Putinin, duke shtuar:
“Sa herë flasim për një marrëveshje ai shemb një ndërtesë në Kiev”. Pavarësisht kësaj, ai nuk e përjashtoi mundësinë për bashkëpunim të mëtejshëm: “Jam i zhgënjyer në të, por nuk e kam mbyllur me të.”
Presidenti paralajmëroi gjithashtu vendosjen e tarifave të rënda ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditësh dhe njoftoi dërgimin e armëve për Ukrainën.
Qëndrimi ndaj NATO-s: Nga "e vjetëruar" në “të domosdoshme”
Ndryshe nga qëndrimi i tij i mëparshëm kur e quante NATO-n “të vjetëruar”, Trump e përgëzoi aleancën për rritjen e buxhetit të mbrojtjes dhe theksoi se beson fuqimisht në parimin e mbrojtjes së përbashkët. Ai e quajti “të pabesueshme” angazhimin e vendeve anëtare për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtjen.
Emigracioni dhe politika e brendshme
Trump theksoi se qeveria e tij ka ulur në nivele rekord kalimet ilegale në kufirin SHBA-Meksikë dhe ka kaluar në fazën e deportimeve. Ai nuk dha një shifër për objektivat, por tha se prioritet janë kriminelët.
Ekonomia dhe trashëgimia politike
Presidenti vlerësoi ligjin e tij të ri për taksat dhe shpenzimet si “një projektligj të madh dhe të bukur”, që përfshin zgjatjen e uljeve të taksave të vitit 2017, lehtësira për bakshishet dhe shkurtimet në Medicaid. Ai e përmblodhi trashëgiminë e tij si president me fjalët: “Po shpëtoj Amerikën”, duke shtuar: “Amerika tani është një vend i madh – një vit më parë ishte vend i vdekur.”/L.F-dritare.net

















