Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ju rrëfej historinë e shkollës ushtarake Skënderbej! Flet Kujtim Boriçi!

Ju rrëfej historinë e shkollës ushtarake Skënderbej! Flet

Në një episod të veçantë të emisionit “Dekalog” në DritareTV, gazetari Roland Qafoku solli në vëmendje historinë e një prej institucioneve më të rëndësishme arsimore dhe ushtarake në Shqipëri: Shkollës Ushtarake të Mesme “Skënderbej”. Kjo shkollë, që funksionoi nga viti 1945 deri në 1992, ka lënë gjurmë të thella në historinë e shtetformimit dhe ndërtimit të elitës ushtarake shqiptare.

I ftuar në studio ishte gazetari, studiuesi dhe një nga ish-nxënësit e shkollës, Kujtim Boriçi, i cili prej dekadash ka dokumentuar historinë e saj, duke e përshkruar me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe krenarie.

“Shkolla ‘Skënderbej’ ka qenë më shumë se një gjimnaz,” – u shpreh Boriçi.
“Ajo kishte një profil të veçantë, një sistem të organizuar ushtarak dhe arsimor, një disiplinë të hekurt dhe edukim të thellë patriotik.”

Një projekt strategjik i pasluftës
Themeluar më 28 mars 1945, shkolla “Skënderbej” ishte ndër veprimet e para institucionale të qeverisë së re komuniste pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas Boriçit, akti themelues u firmos nga vetë Enver Hoxha, dhe përgatitja e saj u bë me kujdes të veçantë strategjik.

“Në thelb, ajo nuk ishte thjesht një shkollë për të mësuar armën apo rreshtimin,” – theksoi ai.
“Ishte një laborator i edukimit ideologjik dhe moral. Mësuesit, komandantët dhe pedagogët ishin zgjedhur nga më të mirët e vendit.”

Modeli organizativ dhe programi mësimor u ndërtuan sipas strukturës së shkollave ushtarake sovjetike, por me theks të veçantë në historinë dhe patriotizmin shqiptar.

Një vatër përgatitjeje të elitës shqiptare
Gjatë 47 viteve të funksionimit, sipas Boriçit, nga shkolla dolën mbi 26 mijë nxënës, shumica e të cilëve u kthyen në kuadro të lartë të ushtrisë shqiptare, por edhe në fusha të tjera si mjekësia, inxhinieria, drejtësia apo arsimi.

“Ishte një ‘West Point’ shqiptar, një institucion elitë që formoi personalitete me integritet, ndershmëri dhe profesionalizëm. Kudo ku kanë shërbyer, ata kanë lënë gjurmë,” – tha ai.

Një fakt interesant që solli Boriçi ishte pranimi i vajzave në shkollë në vitet e para. Gjashtë vajza, përfshirë motrën e kolonelit Petrit Murzaku, morën pjesë në ciklet e para të arsimit ushtarak, duke përfaqësuar një hap përpara për kohën. Megjithatë, kjo praktikë u ndërpre me vendim politik disa vite më pas.

Jetë në disiplinë dhe karakter
Për Boriçin, jeta në shkollën “Skënderbej” nuk ishte e lehtë, por ishte formuese:

“Në orën 6 të mëngjesit, ishim të gjithë në këmbë. Çdo ditë kishte rregull, orar, mësim, stërvitje fizike, dhe mbi të gjitha, respekt ndaj njëri-tjetrit. Ajo shkollë të mësonte të jetoje me ideale.”

Shkolla u vendos fillimisht në Tiranë, më pas në Shkodër, Elbasan dhe përfundimisht u stabilizua në Laprakë, ku qëndroi deri në mbyllje.

Mbyllja, një vendim politik që la pas mall dhe boshllëk
Në vitin 1992, në kushtet e ndryshimeve të mëdha politike dhe shkatërrimit të strukturave të mëparshme shtetërore, shkolla “Skënderbej” u mbyll. Kujtim Boriçi e quan këtë një vendim politik të nxituar, që ndodhi në klimën e antikomunizmit të egër të kohës, por që i mohoi brezave të rinj një trashëgimi të vlefshme./K.C/dritare.net