Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kur “Takim në Theth” ishte emisioni i parë që shkoi në Thethin pa rrugë e drita

Kur “Takim në Theth” ishte emisioni i parë që shkoi

Kur u xhirua për herë të parë emisioni “Takim në Theth” në vitin 2010, nga Rudina Xhunga, aty nuk shkonte askush. Nuk kishte rrugë, nuk kishte sinjal telefoni, nuk kishte ndriçim. Kishte vetëm një vend të magjishëm të fshehur pas maleve, që fliste me heshtjen dhe madhështinë e natyrës së paprekur. Ishte një udhëtim që nuk mund të imagjinohej pa përkushtim, guxim dhe dashuri për këtë vend.

Një grup gazetarësh dhe operatorësh te Top Channel, të një ekipi televiziv drejtuar nga Rudina Xhunga, vendosën të tregonin historinë e një prej perlave të veriut shqiptar, të lënë pas dore. Për të arritur në Theth, duhej kaluar Boga, Qafa e Thores dhe më pas një rrugë me gurë, baltë dhe pasiguri. Në shumë raste, ishte më e lehtë të ecje në këmbë se sa me makinë.

Por “Takim në Theth” u bë. Ishte emisioni i parë televiziv që tregoi për publikun shqiptar dhe atë të diasporës një Shqipëri që askush nuk e njihte. Ai zgjoi kureshtje, mall dhe, për herë të parë, vetëdijen se ky vend kishte nevojë për të mos u harruar.

Thethi nuk kishte rrugë. As drita. Kishte vetëm shpresë.

Energjia elektrike mungonte. Gjeneratorët bënin zhurmë, konsumonin benzinë, prishnin qetësinë. Banorët dhe sipërmarrësit ishin të gatshëm të paguanin, madje ta parapaguonin energjinë. Kanë propozuar edhe të përdorin mikrohidrocentralin që ekziston prej kohësh, por askush nuk i dëgjoi.

Në shtëpinë e Rosës dhe Pavlinit ku qëndroi stafi i Topit, edhe pasi u vendos një gjenerator, tensioni ishte aq i ulët sa dritat nuk ndriçonin. Darkat me qiri ishin të bukura për foto, por realiteti kërkonte dritë të vërtetë, funksionale. Dritë për jetën e përditshme, për mysafirët, për të ruajtur normalitetin.

Rikthimi i një zëri që nuk duhej harruar

Emisioni “Takim në Theth” është më shumë se një kujtim. Është një thirrje. Një dëshmi. Një apel për ata që mund dhe duhet të bëjnë diçka. Ai tregoi një realitet të ashpër, por edhe një dashuri të madhe për këtë vend që e meriton më shumë.

Dhe pyetja që mbetet sot është:

A e kemi dëgjuar atë zë? A kemi bërë diçka që të mos përsëritet historia e heshtjes për Thethin? Sepse Thethi pas atij emisioni bëri rrugën e vet. Po ne ku ishim ndërkaq?

Theth 2025

Sot u prish ndërtesa e fundit pa leje. Tani në Theth ka ujë, dritë, rrugë. Mungon shpresa. Njerëzit janë frikësuar se kaq qe. Ditët e arta të fshatit më turistik shqiptar mbaruan.

Në të vërtetë mbaruan ditët e ndërtimeve pa leje dhe pa shije. Gjithçka është para do e bëjë Thethin ashtu siç meriton të jetë. I bukuri i dheut!/dritare.net