Na ndiqni edhe në

Blog

“Gjaku juaj sapo ka shpëtuar një jetë”, mesazhi në telefon!

“Gjaku juaj sapo ka shpëtuar një jetë”, mesazhi

Nga Rudina Xhunga

Dje në telefonin tim erdhi një mesazh i thjeshtë, por me një peshë të jashtëzakonshme: “Gjaku juaj është një dhuratë e çmuar që sapo ka shpëtuar një jetë. QKTGJ ju falënderon dhe ju inkurajon të vazhdoni të dhuroni gjak për të ndihmuar të tjera jetë.”

“Gjaku juaj sapo ka shpëtuar një jetë”, mesazhi

Janë pak fjalë. Por pas tyre është një njeri që sot jeton sepse dikush, dikur vendosi të shkojë e të dhurojë gjak. Unë jam grupi AB pozitiv. Një nga grupet më të rralla të gjakut. Vetëm rreth 4–5% e njerëzve në botë e kanë këtë grup. Si dhurues, gjakun tim mund ta marrin vetëm persona me grup AB.

Por plazma e gjakut AB ka një vlerë të jashtëzakonshme, është plazmë universale mund t’i jepet çdo grupi gjaku. Dhe përdoret në situatat më kritike, aksidente, trauma të rënda, reanimacion, gjakderdhje masive. Kjo do të thotë se shumë shpesh, një dhurim gjaku nga një person AB ndihmon një njeri që është mes jetës dhe vdekjes.

Kur shkova të dhuroja gjak, nuk dija për kë ishte. Nuk dija emrin, moshën, historinë. Dhe nuk do ta di kurrë. Por tani e di këtë, gjaku im nuk shkoi dëm. U përdor. Dhe shpëtoi një jetë.

Kjo është arsyeja pse po e ndaj këtë sot. për të thënë një të vërtetë të thjeshtë. Dhurimi i gjakut nuk është gjest simbolik. Është ndërhyrje direkte në jetën e dikujt. Sot je ti dhurues. Nesër, pa e ditur, mund të jesh ti që ke nevojë. Gjakun nuk e zëvendëson asnjë teknologji. Nuk prodhohet në laborator. Ai vjen vetëm nga njeriu.

Kush mund të dhurojë?

Çdo person i shëndetshëm, mbi 18 vjeç, që plotëson kushtet mjekësore.

Çfarë fiton?

Diçka që nuk blihet, ndjesinë se sot ke shpëtuar një jetë. I bën mirë shëndetit tënd, sidomos burrave.
Nëse kerkon nje arsye tjeter, ben analizat falas dhe jane nga me te sigurtat.

Nëse je i shëndetshëm, nëse e ke mundësinë, nëse nuk e ke bërë ende: Shko dhe dhuro gjak.
Mos prit që të ndodhë nje tragjedi dhe të lexosh thirrje per gjak, për të reaguar.
Vepro para saj.

Sepse një ditë mund të marrësh edhe ti një mesazh që thotë: “Gjaku juaj sapo ka shpëtuar një jetë.” Dhe atëherë do ta kuptosh sa shumë vlen ky gjest./dritaredigjitale