Na ndiqni edhe në

Shqip

Pse të moshuarit shqiptarë mbeten të pambrojtur!

Pse të moshuarit shqiptarë mbeten të pambrojtur!

Dr. Erifili Tili shpjegon në Shqip nga Rudia Xhunga në DritareTV ndryshimin e kujdesit ndaj të moshuarve në Shqipëri dhe Gjermani, ku thekson në këtë të fundit është më i avancuar përfshirë edhe qëndrimin në qendrat e rehabilitimit që mund të zgjasë nga tre javë e më shumë, mbulohet kryesisht nga sigurimet shëndetësore.

'Pacienti ka punuar gjithë jetën, ka derdhur kontribute dhe ka të drejtën të jetë i siguruar,' thekson ajo. Kjo siguri financiare është ajo që i mungon dëshpërimisht të moshuarit shqiptar, pensioni i të cilit shpesh nuk mjafton as për ilaçet bazë, e lëre më për kujdes institucional apo rehabilitim.

Në Shqip nga Rudina Xhunga, Dr.Tili u pyet se çfarë ndodh me ata shqiptarë që kanë punuar në të zezë ose që kthehen në Shqipëri pas një jete në emigrim. Dr. Tili flet troç, duke theksuar se shumë emigrantëve që mendojnë se do të kthehen në Shqipëri për pleqëri të qetë, ndoshta nuk do t’ia dalin, pasi shuma që marrin nuk i mbulon të gjitha shpenzimet. Ajo argumenton se pensioni gjerman mund të sigurojnë një jetesë të mirë në Shqipëri kur je i shëndetshëm, por situata ndryshon kur fillojnë problemet shëndetësore. Në atë moment, paraja nuk mund të blejë shërbime që nuk ekzistojnë.

Mungesa e infrastrukturës së kujdesit, spitaleve të specializuara për të moshuarit dhe mungesa e stafeve profesionale bën që kthimi në Atdhe të kthehet në sprovë. Tili prek gjithashtu fenomenin e shoqërisë në plakje. Ajo paralajmëron se Shqipëria po hyn me shpejtësi në këtë fazë demografike, ku numri i të moshuarve po rritet ndërsa fuqia punëtore (të rinjtë) po tkurret për shkak të emigrimit.

'Ne nuk jemi përgatitur për këtë,' thotë ajo. Në Gjermani, shteti dhe shoqëria kanë dekada që përgatiten duke ngritur struktura dhe ligje. Në Shqipëri, barra bie mbi fëmijët, të cilët shpesh janë vetë në vështirësi ekonomike ose jetojnë jashtë vendit. Kjo krijon një ngërç social ku prindërit mbeten vetëm, ose fëmijët detyrohen të sakrifikojnë karrierën e tyre për t'u bërë kujdestarë.

Ajo kritikon ashpër mungesën e politikave shtetërore shqiptare. Përse hapen kopshte pafund dhe jo shtëpi për të moshuar?

Përse hidhet paraja vetëm në sektorë që sjellin fitim të shpejtë dhe jo në mirëqenien sociale?

Dr. Tili vë në dukje se tregu i kujdesit në Shqipëri nuk është tërheqës për investitorët privatë sepse fuqia blerëse e pensionistëve është e ulët. Kjo krijon një rreth vicioz, pa para s'ka shërbim, dhe pa shërbim cilësia e jetës bie drastikisht. /dritare.net