Vdekja e Matthew Perry, mjeku pranon fajin. Ja sa dënohet!
Dritare.net

Mjeku Salvador Plasencia është dënuar sot nga një gjykatë federale në SHBA me 30 muaj burg për shpërndarjen e paligjshme të ketaminës aktorit të njohur, Matthew Perry, i cili vdiq në vitin 2023. Gjyqtari theksoi se, edhe pse Plasencia nuk dha dozën që shkaktoi vdekjen e aktorit, ai i ushqeu varësinë ndaj ketaminës. Përveç dënimit me burg, Plasencia do të qëndrojë edhe 2 vite nën mbikëqyrje pas daljes nga burgu dhe do të paguajë një gjobë prej 5.600 dollarësh.
Plasencia u deklarua fajtor për katër akuza federale për shpërndarje të paligjshme të ketaminës. Dokumentet e gjykatës tregojnë se mjeku furnizoi aktorin me rreth 20 ampula ketamine në muajt para vdekjes së tij dhe mësoi asistentin e Perry-t si t’i përdorte ato në shtëpi.
Familja e Perry-t reagoi ashpër pas vendimit, duke e përshkruar mjekun si “një mashtrues që tradhtoi besimin dhe shfrytëzoi varësinë e të dashurit tonë”. Ata kërkuan që dënimi të ishte më i rëndë, duke theksuar se Plasencia nuk ishte thjesht një furnizues, por pjesë e sistemit që ushqeu varësinë e aktorit./K.C/dritare.net