Reagon Marin Mema pas emisionit të Roland Qafokut me Belerin!
Dritare.net

Nga Marin Mema
Fredi Beleri, foli sërish, kërciti dhëmbët duke përmendur edhe popullatën çame! Njeriu i përfshirë sipas dosjes hetimore, qartësisht në ngjarjen e Peshkëpisë, vijon të shkelë mbi dosje, fakte e dëshmi duke shmangur e shpëtuar nga gjykimi i plotë i asaj ngjarje të 31 vjetëve më parë.
Beleri vijon të trumbetojë të njëjtat gënjeshtra të paturpshme për shqiptarët e Çamërisë, duke i akuzuar se ishin bashkëpuntorë të nazistëve! Kjo është teza mbi të cilën u mbështetën sulmet ndaj popullatës civile, ndaj njerëzve të pambrojtur! Janë tezat mbi të cilën mbyllën sytë mijëra civilë! Që Fredi dhe Fredët kanë alergji nga librat, dokumentat dhe mbi të gjitha e vërteta, kjo është e njohur, por kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht.
Bashkëpunëtori më i ethshëm ishte Napolon Zerva dhe disa qeveri të kohës në Athinë, ishin të tilla! Georgios Tsolakoglu, Kontantinos Logothetopoulos, Ioannis Rallis… kujt i shërbyen? Po fotografite e klerikëve të kohës? Çfarë tregojnë? Përse çadrat e Zervës, vendoseshin pranë atyre të ushtrise gjermane! Përse mbulohet marrëveshja e Zervës me Divizionin e parë Alpin dhe pakti për të mos sulmuar njëri-tjetrin? Këto janë të gjitha dokumenta!

Përse fshihet historia e Musa Demit, Tahir Demit, Taho e Teme Sejkos, Hilmi Seitit, Ali Demit, Dervish Dojakës, Haki Rushitit, Petrit Demit, Mustafa Dautit, Jani Kondit, Emin Nuri Zanes, Osman Zenel Taka, e me rradhë… janë themelues çetash, më pas të Batalionit “Çamëria” e më tej “Ali Demi”, po kështu janë pjestarë të Regjimentit të 15 të Ushtrisë Popullore Çlirimtare Greke… Janë kudo në formë të dokumentuar! E gjitha kjo histori fshihet… dhe ekstremistët prej 1944-45 me gojën e Belerëve të kohës e tani me ata të sotëm, akuzojnë shqiptarët e Çamërisë për bashkëpunim… Kjo është formë e njohir për të justifikuar krimet!
Po si janë kolaboracionistë fëmijë, nëna e të moshuar? Masa dërrmuese e viktimave ishin të tillë, njerëz të pambrojtur! Ata ishin bashkëpuntorët!? Në fakt bashkëpunëtorët ishin nga Zerva tek kryeministrat e Greqisë, përfshirë edhe klerikët e kohës, ka dokumenta, dëshmi e madje edhe foto…
Beleri nuk vjen si Eurodeputet në Shqipëri, por si shtytës i urrejtjes, përplasjes dhe antishqiptarizmës, përfaqësues i denjë i grupeve më ekstreme! Po e ben këtë duke shkelur mbi plagë, duke nxitur e sulmuar frymën shqiptare, duke kaluar mbi dosjen e 1994 dhe të vërtetat e saj! Të fortë paskemi qenë… të durojmë dikënd që vjen e tallet me një nga momentet më tronditëse të historisë sonë!/dritare.net