
Bino: Ja çfarë duhet të dinë prindërit për vaksinat!
Dritare.net

Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron vaksinën një histori globale suksesi për fushën e shëndetësisë. Flavia Bustreo, ndihmës/drejtore e Përgjithshme për çështjet e Familjes, Shëndetit të Gruas dhe Fëmijëve në OBSH, njëkohësisht nënkryetare e GAVI (Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin), thotë se, vaksina është një nga arritjet më të mëdha botërore shëndetësore, falë së cilës çdo vit janë shpëtuar rreth 2 deri 3 milionë jetë. Sipas saj vetëm gjatë dy shekujve të fundit, vaksinat kanë zhdukur li, kanë ulur normën globale të vdekshmërisë së fëmijëve, kanë penguar defekte të panumërta të lindjes dhe aftësi të kufizuara gjatë gjithë jetës, të tilla si paralizë nga poliomieliti.
Por përballë gjithë këtyre historive suksesi, vaksinimi vazhdon të ngjallë debat botëror, përfshi këtu edhe vendin tonë. Doktoreshë Silva Bino, shefe e Departamentit të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, sqaron çdo lloj dyshimi si dhe jep çdo lloj informacioni të domosdoshëm para kryerjes së vaksinimit të fëmijëve. Përballë pyetjeve të prindërve dhe hezitimeve të tyre, çfarë përgjigjesh japin shkencat mjekësore. Çfarë rrezikojnë fëmijët në rast të moskryerjes së vaksinave dhe disa të vërteta mbi kalendarin e vaksinave që kryhen në vendin tonë. Doktoreshë Bino gjithashtu qartëson se cilat janë risitë e kalendarit të vaksinimit në vendin tonë dhe cilat janë vaksinash e reja, të cilat synohet të futen në vend.
Në Shqipëri vaksinimi është i detyrueshëm?
Nuk është i detyrueshëm por ka disa mekanizma, të cilët i “detyrojnë” në një farë mënyre prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Vaksinimi bazohet në informimin që personeli shëndetësor ia jep prindërit. Natyrisht ne kemi një program të mirërritjes së fëmijës dhe kujdesit së fëmijës që nga momenti që ai lind në maternitet dhe deri sa ai rritet dhe sidomos në vitet e para të jetës, ushqyerja, mirërritja, sigurisht edhe vaksinimi. Mjeku i cili është i konsultorit dhe më pas mjeku pediatër jep rekomandimet e duhura dhe iu paraqet skemën e vaksinimit prindërve. Natyrisht prindi nuk është i detyruar, por fëmija që të futet në klasën e parë të shkollës duhet të paraqesë kartelën e vaksinimit. Po është një praktikë që ndiqet në shumë vende të botës, sikurse në SHBA, Itali, e gjetkë sepse natyrisht kur fëmija futet në shkollë ka mjedise që ka shumë fëmijë, si shkolla dhe kopshti, sepse një fëmijë i pavaksinuar është rrezik për veten por edhe për fëmijët e tjerë. Jetojmë të gjithë në një botë ku njerëzit lidhen me njëri-tjetrin. Kur fëmijët nuk vaksinohen kjo vë në rrezik komunitetin për sëmundje të rrezikshme e të harruara.
Ekzistojnë shumë mite dhe të vërteta rreth vaksinimit, por një informim më i madh i prindërve nuk do të sillte sigurisht kaq shumë dyshime rreth vaksinimit dhe me të drejtë doktoresha ju bëni apel për shkatërrimin e këtyre miteve, konkretisht duam të dimë a janë toksike vaksinat?
Jo, vaksinat kanë shpëtuar miliona jetë. Mjekët nuk janë kriminelë, shoqatat dhe institucionet nuk do t’i mbështesnin ato dhe nuk do të mund të shiteshin.
A është e vërtetë që vaksinat shkaktojnë autizëm?
Një milion herë jo. Rishikimi i 12 mijë artikujve shkencorë e ka hedhur poshtë këtë.
Por a e dinë prindërit gjithmonë për të mirën e fëmijëve?
Prindërit mund të dinë më të mirën, ndaj dhe për këtë arsye duhet të kuptojnë që vaksinat shpëtojnë jetë.
A ka një interes të fshehtë të kompanive farmaceutike për të mbështetur fushatën e vaksinimit?
Kompanitë fitojnë më shumë para duke trajtuar njerëz të sëmurë se sa t’i parandalojnë ato.
Ka prindër të cilët nuk janë kundër vaksinave, por a janë të sigurta ato?
Vaksinat që ne përdorim janë të sigurta. Në fakt ato janë më shumë se të sigurta, ato shpëtojnë jetë.
Vaksinat shkaktojnë infertilitet?
Miti i rrezikshëm që të çon në epidemi. Mijëra studime tregojnë se vaksinat nuk shkaktojnë sterilitet dhe infertilitet.
Edhe njerëzit e vaksinuar sëmuren?
Asnjë vaksinë nuk është 100% efektive dhe kjo pasi disa njerëz nuk zhvillojnë imunitet, por kjo nuk do të thotë që vaksinat janë pak efektive dhe sa më shumë të vaksinohen aq më pak njerëz do të sëmuren.
Kalendari
Por përveç pyetjeve teknike mbi sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave që qarkullojnë në vendin tonë, pak dihet se çfarë vaksinat kanë dalë dhe kanë hyrë në kalendarin e vaksinimit në Shqipëri. Sipas të dhënave të Departamentit të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve Infektive në ISHP rezulton se gjatë këtyre viteve janë hequr një sërë vaksinash nga kalendari dhe pasuruar me të reja. Kështu në një historik të vaksinimit në Shqipëri, rezulton se në vitin 1997-‘98 u kryen fushata masive vaksinimi ndaj poliomielitit për shkak të epidemisë së poliomielitit në vitin ‘95-96.
Vaksinimi me vaksinën e kombinuar ndaj fruthit dhe rubeolës u vendos në vitin 2000 pas fushatës së vaksinimit ndaj fruth rubeolës për fëmijët 12 muaj deri në 14 vjeç dhe programit të vaksinimit për femrat 15-45 vjeçe në vitin 2001.
Pas vitit 2000 Shqipëria u mbështet nga GAVI (Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin) për vazhdimin e vaksinimit ndaj hepatitit B. Në vitin 2000 Shqipëria fillon të përdorë gjatë programit të vaksinimit shiringat vetëshkatërruese me një përdorim, po gjatë këtij viti fillon eliminimi i shiringave dhe përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve pas vaksinimit.
Në vitin 2005 Shqipëria futi në kalendarin e vaksinimit vaksinën e kombinuar ndaj fruthi, rubeolës dhe paratitit (shytave). Pas vitit 2005 programi i vaksinimit financohet plotësisht nga shteti. Në vitin 2003 ndërtohet autoriteti rregullator për vaksinat pranë ISHP dhe më pas në 2005 ky autoritet kalon pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave. Në vitin 2007 Shqipëria kryen studimin e parë të kosto efektivitetit për futjen e vaksinës ndaj infeksionit nga Heamophilus Influenzae tipi B (Hib).
Dhe në vitin 2009 Shqipëria fut vaksinën e kombinuar pentavalente ndaj difterisë, tetanozit, pertusit, hepatit B dhe infeksioneve Heamophilus Influenzae tipi B (Hib).
Në vitin 2010 Shqipëria rishikon planin e veprimit ndaj vaksinimit. Po këtë vit kryen studimin e kosto efektivitetit për futjen e vaksinës ndaj Rotavirus, si dhe përcakton standardet për futjen e vaksinave të reja.
Në vitin 2011 Shqipëria fut në programin e vaksinimit vaksinën ndaj pneumokokut të mbuluar plotësisht nga fondet kombëtare. Në vitin 2012 Shqipëria si vend pa tetanos te të porsalindurit nuk aplikon më vaksinën ndaj tetanosit te gratë shtatzëna dhe zgjeron programin e vaksinimit duke futur vaksinën ndaj tetanosit dhe difterisë te të rinjtë 18-19 vjeç.
Në vitin 2014 Shqipëria fut vaksinën me injeksion IPV ndaj poliomielitit si hap drejt përgatitjes për çrrënjosjen e poliomielitit në botë.
Në mars të vitit 2016 Shqipëria ka një legjislacion të ri për vaksinimin bazuar në ligjin e ri të sëmundjeve infektive nr.15, 10/03/2016. Në vitin 2016 vaksina orale kundër poliomielitit që përmbante tre tipa të virusit të egër poliomielitit u zëvendësua me atë bivalente, duke eliminuar kështu tipin 2 të këtij virusi, i cili rezulton tashmë i zhdukur në të gjithë botën. Vaksina e rotavirusit e planifikuar të futej përpara dy vitesh u shty për shkak të futjes së vaksinës in aktive të polios./Mapo

















