Beteja e Ilir Metës për të zhdekretuar, Gjykatën Kushtetuese

Nga Mero Baze

Nga Mero Baze

Presidenti ka nisur një betejë të re, në dukje procedurale, për të sabotuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka refuzuar të dekretojë si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, njërin nga kandidatët të renditur sipas Kushtetutës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke ngritur pretendime absurde se e ka pezulluar procedurën dhe afatet kushtetuese dhe se do të emërojë kandidatin e tij pasi të plotësojë më parë vakancën Kuvendi.

Pra Presidenti ka “vendosur” atë që është e pamendueshme: të ndalojë zbatimin e Kushtetutës dhe të afateve që ajo e urdhëron për të vepruar.

Refuzimi në dukje procedurial i Presidentit, në të vërtetë është një skemë e pastër, e përsëritjes së precedentit të “çdekretimit” që Ilir Meta përdori për zgjedhjet e 30 Qershorit.

Duke qenë se pas refuzimit të tij, sipas Kushtetutës, automatikisht është e zgjedhur kandidatja e renditur e para sipas renditjes të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pra gjyqtarja Arta Vorpsi, Ilir Meta do të përpiqet të zhvlerësojë zbatimin e ligjit nga Kuvendi, duke bërë lojra fjalësh me radhën e plotësimit të vakancave.

Sipas Kushtetutës, kompetencën për shpalljen e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese e realizojnë sipas radhës Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Ilir Meta ka shpallur vakancën që i takon Presidentit, dhe nuk është më ai që dikton radhën e plotësimit të vakancave, por Kushtetuta.

Afati kushtetues i tij për të vendosur përfundon sot pas 30 ditësh, dhe meqë ai nuk e ka emëruar vetë anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, është vetë Kushtetuta që e parashikon të emëruar të parën e renditur nga KED.

LEXO DHE :  Nga “Rrëmbeni armët!”, te thirrjet për konsulta, janë të gjitha thirrje për luftë

Të gjitha lojrat e tjera të tij, rreth radhës që duhet të ndiqet për plotësimin e vakancave, duke u përpjekur në marrëzinë e tij për të argumentuar në mënyrë absurde antikushtetuese se këtë radhë na e përcaktoka Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, janë manovra të tij për të bllokuar formimin e Gjykatës dhe për të prodhuar akte juridike të çmendura si çdekretimi i zgjedhjeve, duke mos njohur anëtarët që zgjidhen në rrugë ligjore.

Ajo që duket në horizont është se Ilir Meta mund të prodhojë ndonjë “çdekret” për emërimin e gjyqtares që mbushi vakancën e Presidentit, për ta futur në një spirale pa fund ngritjen e Gjykatës.

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është hapi vendimtar që rikthen në normalitet krizën institucionale në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese është në pritje për të konfirmuar fatin e Presidentit Ilir Meta, dhe për të krijuar garanci që vendi mund të hyjë në zgjedhje, pas çmendurisë që Presidenti bëri me zgjedhjet e 30 Qershorit.

Beteja e Ilir Metës për të krijuar kurthe proceduriale të shpikura kundër logjikës kushtetuese, në të vërtetë është një përsëritje  e skemës së 30 Qershorit, të çdekretimit të zgjedhjeve për ta mbajtur vendin në krizë të përhershme kushtetuese, dhe për t’i mbijetuar shkarkimit të tij./tema.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.