Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Belinda Balluku merret e pandehur edhe për 6 tendera të tjerë, SPAK i komunikon akuzat

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku pritet të merret zyrtarisht e pandehur edhe për gjashtë tendera të tjerë, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Sipas raportimeve, Balluku është thirrur në SPAK së bashku me avokatin e saj mbrojtës, ku do t’i komunikohet zyrtarisht statusi i të pandehurës për gjashtë lotet e tjera të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës.

Më herët, Balluku ishte marrë e pandehur për lotin 4 të Unazës së Madhe dhe për tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Gjatë seancës pritet t’i komunikohet gjithashtu edhe zgjatja me tre muaj e afatit të hetimeve. Ky zhvillim vjen në një kohë kur SPAK vijon hetimet ndaj ish-zyrtarëve të lidhur me çështjen, mes tyre Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

Ndërkohë, hetimet vijojnë edhe për dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash, lidhur me dy tendera me vlerë mbi 1 milion euro, të zhvilluar në kohën kur Balluku drejtonte “Albcontrol”.

Sipas SPAK, tenderat dyshohet se iu dhanë në shkelje të ligjit një kompanie ndërtimi, ndërsa Balluku dyshohet se ka përfituar një vilë në Dhërmi, me vlerë rreth 145 mijë euro. Prona është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa Balluku dhe personat e tjerë të përfshirë gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./L.F-dritare/net