I nderuar zoti Pompeo, së pari iu uroj për detyrën e rëndësishme që keni marrë si shef i Departamentit të Shtetit. Me siguri kur keni qenë në CIA do keni dëgjuar për mua. Nuk e ka gjetur gjë Lu-në që dëgjon këshillat e mia. Ka hyrë në vitin e katërt dhe do ta shtyjë gjatë. Po ashtu e pe sesi e hëngri Tillersoni se kujtonte që jam mitoman. Ndaj të këshilloj t'i lexosh me vëmendje letrat që të nis.
Tani të kthehemi tek skema. Ju ndoshta nuk e dini se ku bie Shqipëria por duhet të na keni në qendër të vëmendjes, sepse ne jemi qëndra e botës, pavarësisht se jemi vend i vogël. Jemi si punë kërthize ndërsa unë jam si puna e gazit në zorrë.
Vijmë tek gjendja aktuale. Berisha dhe Rama po përgatiten për luftë guerrile. Pse do thoni ju? Ta shpjegoj unë zotëri. Ju shumë shpejt do na pushtoni. Unë e shoh gjendjen shumë të pashpresë ndaj ky do të jetë rrjedhim llogjik i situatës.
Menjëherë pas pushtimit duhet të bëni qeverinë. Në këtë qeveri mund të pranoj rolin e kryeministrit, por edhe të ministrit të Drejtësisë. Menjëherë sa të emërohem, do të filloj arrestimet. Ilir Metën duhet ta kursejmë sepse ky do të dekretojë qeverinë. Në këtë moment, Rama dhe Berisha do dalin kaçakë. Para kanë për armatim. Korrupsioni që kanë bërë iu duhet pikërisht për këtë ditë.
Berisha do veprojë në zonën Tropojë-Kukës-Gjakovë, ndërsa Rama në teatrin e luftimeve Vlorë-Vuno-Progonat. Në Shqipërinë e Mesme ka mundësi të lënë në ilegalitet Lulzim Bashën. Por këtë nuk mund ta arrestojmë sepse do ta shtyjë me raporte.
Ne nuk duhet të trembemi nga kjo zotëri. Duhet të fillojmë me sekuestrimin e pronave dhe llogarive bankare. Kuptohet që ai që i sekuestron, merr dhjetë për qind. Mund ta bëjmë edhe njëzet.
Pas kësaj.... Nejse të tjerat do t'i them më vonë se ka rrezik që më merrni skemën dhe nuk më jepni përqindjet. Aq më tepër që akoma nuk e kam regjistruar patentën.
Do ju shkruaj së shpejti./dritare.net