Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arti shqiptar gjatë komunizmit! Ja veprat e rralla të Kleo Ninit!

IMG-20260611-WA0015.jpg

Fotoreporteri britanik Robert Hackman ka vizituar Galerinë e Artit ne Tiranë, ku zhvilloi një bisedë me kuratorin dhe njohësin e artit shqiptar, Genti Gjikola. Në qendër të saj ishte arti i realizmit socialist gjatë regjimit komunist dhe ekspozita e piktorit Kleo Nini.

Gjikola e cilësoi realizmin socialist si periudhën më përcaktuese të historisë së artit shqiptar të shekullit XX. Sipas tij, për të kuptuar zhvillimet e sotme artistike, duhet njohur më parë mënyra se si krijohej arti gjatë komunizmit.

Ai shpjegoi se, nga vitet 1950 deri në mesin e viteve 1980, në Shqipëri u krijua një numër shumë i madh veprash. Prodhimi artistik zhvillohej nën kontroll të fortë ideologjik, ndërsa abstraksioni dhe interpretimet e lira nuk lejoheshin. Artistëve u kërkohej t’i paraqisnin njerëzit dhe ngjarjet në mënyrë të dallueshme, duke respektuar parimet e realizmit socialist.

Megjithatë, Robert Hackman vuri në dukje se edhe brenda këtij sistemi të ngurtë, artistët arrinin të ruanin individualitetin e tyre. Në disa vepra dalloheshin kundërshtime të vogla ndaj regjimit, ndërsa punime të tjera censuroheshin ose futeshin në listën e zezë. Gjikola shpjegoi se gjatë disa dekadave u krijuan breza të ndryshëm artistësh, secili me personalitetin dhe mënyrën e vet të interpretimit.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua formimit të artistëve shqiptarë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe hapjes së Institutit të Lartë të Arteve në vitet ’60, në Shqipëri u ndërthurën dy tradita. Brezi i vjetër ishte formuar përpara luftës në Paris, Romë, Firence dhe Bukuresht, ndërsa brezi i ri ishte ndikuar nga shkollat artistike të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të Evropës Lindore. Sipas Gjikolës, ndërthurja e këtyre përvojave krijoi bazën mbi të cilën u zhvillua realizmi socialist shqiptar.

Në këtë kontekst u prezantua edhe krijimtaria e Kleo Ninit, i diplomuar për pikturë në vitin 1968. Për shkak se gjatë komunizmit nuk kishte treg privat arti dhe artistët nuk punonin në studio të pavarura si sot, shumë prej tyre angazhoheshin në institucionet shtetërore. Nini punoi në kinematografi si piktor filmi dhe skenograf, duke realizuar afishe, skica personazhesh, kostume dhe materiale të tjera pamore.

Gjikola theksoi se afishet e filmave realizoheshin tërësisht me dorë. Artisti duhej të zgjidhte personazhin kryesor dhe të përmblidhte historinë e filmit në një imazh të vetëm. Përveç filmave kushtuar Luftës Antifashiste, gjatë viteve ’80 kinematografia nisi të trajtonte më shumë familjen shqiptare, martesën, divorcin, punën dhe moralin socialist.

Në ekspozitë paraqiten edhe skicat e Ninit për filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, bazuar në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë. Sipas Gjikolës, në këto punime artisti ka arritur të përcjellë stilin e përmbajtur të regjisorit Dhimitër Anagnosti dhe prozën minimaliste, por të thellë, të Kadaresë.

Biseda u ndal edhe te rikonstruksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve. Gjikola bëri të ditur se hapësira pritet të zgjerohet nga rreth 3 mijë në 9 mijë metra katrorë, duke rritur ndjeshëm mundësitë për ekspozimin dhe ruajtjen e fondit të veprave. Galeria e re synon të presë rreth 200–250 mijë vizitorë në vit.

Robert Hackman e cilësoi ekspozitën e Kleo Ninit një mundësi të veçantë për të kuptuar historinë, shoqërinë dhe jetën shqiptare gjatë komunizmit./dritare.net