Arben Golemi sjell “Different”, një expo për të mos u humbur nga kush e njeh, e do dhe koleksionon pikturën

Nga Dritare.net

Një ekspozitë ku qyteti i një mbi një dritareve, Louvre i Parisit, New York madhështor, janë sa realë dhe  të dukshëm, njëkohësisht edhe mistikë e të largët. Nëpërmjet këtyre pikturave nuk sheh një realitet të thjeshtë, është një realitet i shoqëruar me reflektim, meditim.

Një ekspozitë ndryshe, siç ka edhe emrin “Different”, është hapur në ambjentet e galerisë FAB në Tiranë. Piktori i famshëm nga Berati, Arben Golemi, sjell realizimin e tij artistik më të freskët, të bazuar në eksperiencat dhe ndjesitë e tij.

Është një aventurë e shoqëruar nga ngjyrat, misteri, emocione të piktorit, që janë hedhur vrullshëm në telajo. Pikturat e Arben Golemit nuk mund të ndahen nga arkitektura, kryefjala e gjithë krijmtarisë të tij.

Janë qytete që kushdo mund të shkojë t’i vizitojë, por për ti parë këto qytete të famshme ndryshe, në një këndvështrim të abstraguar, pasqyrimi i tyre gjendet vetëm në ekspozitën “Different”. E cila prezantohet në ambjentet e galerisë FAB deri në datën 10 dhjetor.

dsc_9088-a

Piktori Golemi flet për dritare.net, duke na dhënë detaje mbi procesin e realizimit të pikturave, nga ideja deri në hedhjen e saj në telajo.

“Unë kur zgjedh një temë bëj një cikël pikturash për atë gjë, punoj njëkohësisht me disa piktura, deri në momentin që arrij të krijoj një cikël të mirë të tyre. E bëj këtë gjë për të mos rënë pre e përsëritjes dhe të zgjedh elementë të ndryshëm të pikturave. Ndërkohë koha që më duhet për t’i realizuar varet, jo nga madhësia e pikturës por nga cilësia, edhe pse unë mundohem që secila prej tyre të jetë në cilësinë e duhur. Ekspozitën “Different” unë e kam realizuar me një frymë, më është dashur 1-2 vjet. Fillimet e kësaj ekspozite i kam nga ajo e para dy viteve “XXI”, të prezantuara po në galerinë FAB. Dhe mënyra se si e kam realizuar i kam nisur para dy vjetësh, materialet vijnë nga arkitektura, prandaj kam zgjedhur rrjetat plastike, gërrvishjet e fuqishme.”

Piktori nuk do të ndalojë asnjëherë në vizatimin e Beratit, duke kaluar nga struktura tradicionale e tij në trashëgimin kulturore. Në muret e galerisë qëndrojnë të varuar edhe qytetet botërore që kanë vendosur themele me ndërtesat e tyre madhështore. Edhe pse për Golemin të rëndësishme janë vlerat që mbart një qytet, jo madhësia e tij.

“Unë kam laboratorin tim siç ka çdo piktor, përgjithësisht ka të bëjë me vendlindjen. Dhe unë kam Beratin, të cilin në mënyrë të vazhdueshme e pikturoj jo thjesht për të realizuar peisazhe, por për të treguar Beratin që unë kam në kokë. Qytete të tjera që unë pikturoj janë New York, Parisi, Roma e shumë të tjera. Unë gjithmonë them që nuk ka të bëjë shumë madhësia e qytetit, por vlerat që ka. Berati ka katër Kisha Bizantine të ndërtuara në shek XI-XII, me vlera që New York nuk i ka kurrë. Sikundër, New York ka vlerat e tij ndryshe nga të tjerat. Mua më interesojnë qytetet që kanë kryevepra të arkitekturës.”

Për të çdo pikturë e bukur duhet të ekspozohet dhe çdo pikturë e ekspozuar është në shitje. Nuk mund t’i ndajë pikturat e ekspozuara por veçon “Saper vedere l’artitettura”, duke treguar edhe paralelizmin e emrit me librin e arkitektit të famshëm italian.

18-saper-vedere-lartitettura-195x348cm-2016

“Një prej pikturave që do të veçoja është “Saper vedere l’artitettura” e frymëzuar nga libri i arkitektit Bruno Zefi “Saper vedere l’architettura”. Ajo pikturë është një mënyrë e të parit të arkitekturës nga ana ime. Madje kisha menduar që emri i ekpspozitës të ishte “Saper vedere l’aritettura”, por jo të gjitha pikturat e tjera janë të kësaj fryme, ndaj vendosa të lija “Different”.

Në sallën qëndrore gjithashtu është dhe një pikturë tjetër “Pema e Madhe”, të cilën dua të vazhdoj ta pikturoj e në forma të tjera.”

Nuk mund të ketë një cikël pikturash të Golemit pa elementin arkitektonik dhe është pikërisht kjo arma e piktorit që e diferencon, me një gjuhë vizive personale të identifikueshme.

“Kur unë isha ende në hapat e mija të para ka qenë piktori Kujtim Buza që më ka dhënë një këshillë shumë të vlefshme e cila është esenciale për pikturën time. Të shfrytësoj armën time, që nuk e kanë piktorët e tjerë dhe ajo është arkitektura.

Van Gogh është frymëzimi im dhe nga i cili jam ndikuar shumë, gjërat që unë kam mësuar nga Van Gogh, janë që mund të bëhesh piktor nga vetja dhe e dyta në jetë duhet të zgjedhësh atë që është individualiteti, që të mos jesh si të tjerët.

Ndryshe nga kohët e mija të para, kur unë isha ende një piktor i ri është, se gjithmonë e më shumë po kanalizohem drejt mjeteve personale. Që piktura të jetë sa më individuale, për këtë arsye do të vazhdoj të përdor arkitekturën. Cilësia dhe kualitet në pikturë arrihet në mënyra nga më të ndryshmet dhe ato kanë të bëjnë me formimin, talentin. Por mjeti është shumë i rëndësishëm, mjeti për ta shprehur duhet të jetë personal.”

22-houses-in-autumn-160x125cm-2016

Piktori bashkëpunon për herë të dytë me galerinë FAB, duke e veçuar për cilësinë që ajo ka. Ndërkohë që evideton për dritare.net, problemet me të cilat ndeshen galeritë në Tiranë dhe ndikimin e tyre në artëdashësit.

“Galeritë kryesore në Tiranë janë FAB dhe ajo Kombëtare, ku unë kam pasur disa ekspozita atje dhe me siguri në të ardhmen do të ketë përsëri bashkëpunime. Zgjodha FAB për kualitetin, është galeria e Akademisë dhe padiskutim që ka cilësi të lartë. Që ti të ekspozish pikturat e tua, fillimisht ato kalojnë në bordin e një grupi pedagogësh të kualifikuar.

Por galeritë e artit janë në vështirësi pasi nuk kanw përkrahje  dhe nuk kanw një nivel ekonomik që ti mbështesë ato, kryesisht galeritë mbështeten nga shitja e pikturave, ku edhe tregu është i diferencuar. Por unë kam blerësit e mi të pikturave që kanë mundësi ekonomike, kjo pasi çmimet që unë vendos janë relativisht të larta. Përveç mundësive ekonomike duhet të kenë edhe mundësi ekspozimi, pasi përgjithësisht pikturat e mija janë të mëdha.

LEXO DHE :  Ish-kryeprokurorja Katica Janeva kërkon t’i shpëtojë burgut, ofron 3 shtëpi

Tashmë edhe në Shqipëri është krijuar koncepti për blerjen e pikturës, respekti ndaj veprës së artit dhe dëshira për ta ekspozuar. Pikturën time kryesisht e blejnë ata njerëz të cilët kanë hapësira të mëdha, hotele, vila apo edhe zyra. E kanë kuptuar që piktura është një domosdoshmëri, nuk i mbushin ambjentet vetëm me kolltukë e divanë.

Ka një kontraditë në Shqipëri midis dëshirës për ta pasur një pikturë dhe anës ekonomike për t’i blerë ato. Për fat një pjesë e mirë e intelektualëve tanë janë të edukuar me pikturën dhe artet në përgjithësi. Por mundësia për t’i blerë është te ata që disponojnë të ardhurat dhe jo tek shumica e atyre që e pëlqejnë pikturën. Më vjen mirë që edhe këtu në Shqipëri ka disa koleksionistë që i’u intereson piktura.”

Edhe pse duhen disa ditë që të mbyllet ekspozita “Different”, Golemi është duke planifikuar ciklin e ri që pritet të vijë së fundmi, piktura jo larg konceptit akitektonik.

“Aktualisht jam duke realizuar emocionet e mia të fundit të New York dhe idenë që kam unë për atë qytet. Dhe në ekspozitën time të radhës mund të jenë rreth 15 piktura mbi New Yorkun. Mendoj të paraqes një cikël me kryevepra të arkitekturës në vende të ndryshme, emocionet dhe reflektimet e mia mbi to.”

Kolegët tregojnë Golemin

Ardian Isufi, dekani i  Fakultetit të Arteve të Bukura

Ardian Isufi, shprehet për dritare.net, se piktura e Golemit ka një energji shumë të madhe dhe krijimtari me një specifikë të jashtëzakonshme, duke qenë një ekzpozitë e denjë edhe për galeritë e Manhattan.

“Është një bashkëpunim që vjen jo vetëm për të prezantuar veprat e fundit të krijmatrisë së Arbenit. Por është dhe një strategji e Universitetit të Arteve dhe Fakultetit të Arteve të Bukura që të prezantojë në galerinë FAB bashkëpunëtorët e ngushtë të universitetit. Arbeni ka një specifikë të jashtëzakonshme me krijmtarinë e tij sepse është ndër artistët e rrallë që fut një element të tijin, atë të arkitekturës. Ai gjithmonë krijon një miks të arkitekturës dhe pikturës, të cilat i integron në pikturat e tij.

Është një ekspozitë shumë goditëse pasi piktura e Arbenit është e shpalosur në një format të madh, që i bën mirë edhe kompozimit, i cili është abstrakt dhe arkitektonik. Që shkojnë drejt një marrëdhënie mbi qytetin, qyteti i parë në një formë gati të abstraguar. Këtu nis një marrëdhënie misteri që piktori e krijon nëpërmjet shenjës, ngjyrës, pikturës së aksionit (action painting), sepse janë piktura të realizuara shpejt por që ka një energji shumë të madhe.

Krijmtaria e Arben Golemit është shumë e konsoliduar nga ekspozita në ekspozitë, ka një bosht të qartë të lëndës që ai qëmton, ka një bosht të qartë të temave që ai kompozon. Kjo është një ekspozitë ku i jepet më shumë shprehi dhe liri pikturës së aksionit, i jepet më shumë liri elementit ngjyror, por që integrohet shumë mirë me konceptin hapsinor dhe arkitektonik. Interesi i njerëzve ka qenë shumë i madh, por vlen të veçohet prezenca e madhe e një publiku shumë të rafinuar e special, i cili jo vetëm që ka interes mbi krijmtarinë e Arbenit, por ka interes në krijimin e koleksioneve.

Ne po bashkëpunojmë me Arbenin, në kuptim krijues artistik të veprës së tij por edhe me tw si arkitekt.  Kjo sepse ai po na ndihmon shumë në përmirësimin e cilësisë të hapsirave të galerisë FAB. Jemi në diskutime për një projekt shumë ambicioz për sa i përket galerisë, për ta bërë atë sa më tepër funksionale për publikun. Arbeni është duke lënë edhe një shenjë tjetër në galerinë FAB, që është art, por vjen nëpërmjet arkitekturës.”

Kuratori i ekspozitës, Ermir Hoxha

dsc_9066-a

“Piktura e Arben Golemit, e risjellë në këtë aventurë të re vizive në ambjetet e Galerisë FAB, e fton shikuesin në eksplorimin e asaj filozofie personale përkufizuar si “Saper Vedere L’Artittetura”.

I dyzuar që në ndërtimin e tij akademik mes arkitekturës dhe pikturës, Golemi e ripërcjell leximin e strukturës arkitektonike si piktor që në fillesat e tij si profesionist. Në fakt temat e tij fillimisht prekin strukturën tradicionale të qytetit të tij të lindjes (Beratit), për tu rivitalizuar më pas me ato të trashëgimisë kulturore, apo ato në sipërfaqet baroke të Muzeut të Luvrit. Në cikle të tjerë ato lëshohen vertikalisht nën ritmin e ndërtesa qiellgërvishtëse të Nju Jorkut, për tu përmbyllur nga përthithja instike e pyjeve shumëdrurësh. Në këto mori temash struktura stilistike e estetike e Golemit mbetet shtylla kurrizore e gjithë krijimtarisë së tij.

Si i tillë, zbërthimi stilistik i gjithë këtyre tematikave mbetet ai i ngjyrave ekspresive, pastoze e të markuara thellë, ku linjat vertikale e horizontale herë thërrasin eko nga ekspresionizmi abstrakt e herë ato të  kubizmit të ditëve të para.

Besnik i kësaj forme, artisti në këtë ekspozitë të 23-të personale propozon një mjet të ri, atë të gërvishtjes së sipërfaqes së telajos, si tentativë e rinovuar për të shtuar ekspresivitetin e ngjyrës, shenjës së tij identitare. Të shpërndara me ritëm mbi ngjyrën pastoze, këto gërvishtje të përsëritura, rrisin impaktin sensorial mbi të njëjtat subjekte, si një formë e re komunikimi me veten.

Në shtegun e hequr prej mëse tre dekadash, Golemi risjell arkitekturën e tij vizive, me këtë aventurë e re, me një gjuhë të konsoliduar në kërkim të shprehive të reja, si një mundësi për të komunikuar si gjithmonë  emocionet e krijimit të parë.”/ dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.