Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ambasadori i ri amerikan mbërrin në Shqipëri

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbërritur në Tiranë dhe të shtunën do të nisë zyrtarisht detyrën e tij diplomatike.

Wendt pritet të dorëzojë letrat kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë një takimi kokë më kokë, i cili është parashikuar të zhvillohet në orën 11:00.

Eric Wendt është gjeneral-lejtnant amerikan në pension, me një karrierë mbi 34-vjeçare në ushtrinë amerikane dhe një profil të fokusuar kryesisht në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, Wendt ka shërbyer në poste të ndryshme të larta dhe ka komanduar forcat e operacioneve speciale të NATO-s, ku ka bashkëpunuar edhe me trupa shqiptare. Ai ka punuar me ushtarakë shqiptarë edhe gjatë misioneve në Afganistan.

Pas përfundimit të karrierës ushtarake, Wendt ka vijuar angazhimin në fushën akademike, duke dhënë mësim mbi komandimin dhe lidershipin në Naval Postgraduate School.

Prioritetet e mandatit në Shqipëri

Gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan në muajin maj, Wendt prezantoi disa prej prioriteteve që synon të ndjekë gjatë mandatit të tij në Shqipëri.

Mes tyre janë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike.

Një tjetër fokus i diplomatit amerikan është krijimi i kushteve të drejta dhe transparente për investitorët amerikanë në Shqipëri, veçanërisht në sektorë si energjia, infrastruktura, industria minerare dhe inteligjenca artificiale.

Dorëzimi i letrave kredenciale te Presidenti Begaj shënon nisjen zyrtare të mandatit të Eric Wendt si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri./L.F-dritare.net