
Mbjellja e tokës na mësoi të ngrinim agroturizmin në Domje! Flet Blerina Bombaj!
Dritare.net
Blerina Farm nuk është veç një fermë. Është një koncept. Një koncept ferme në shërbim të plotë të shijes. Dhe të shëndetit të mirë. Në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga, Blerina tregon pse e pëlqejnë kaq shumë të huajt agroturizmin e saj.
“Ajo që neve na mburrin më shumë të huajt është mëngjesi. E mburrin sepse është pothuajse 100% me produkte tona, të vendit. Në mëngjes ne shpalosim të gjitha aromat, ngjyrat dhe shijet e stinës.”, thotë dietologia.
Blerina tregon si i ngjiti gradualisht shkallët e suksesit të saj, nga një dyqan për dietë në Bllok, në një perandori agroturizmi në Laknas plot me turistë:
“Gjithçka ndodhi shumë gradualisht. Vetë puna që bën të tregon ku duhet të shkosh. Unë kam një parim: Pema që nuk rritet, vdes. Normalisht edhe biznesi që të rritet dhe të jetojë duhet të ndryshojë formë. Jo detyrimisht të zmadhohet, jo me tahmanë e madhe, por të jetë plotësuese. Ndaj ne e shohim si plotësim të asaj që ne bënim. Sepse këtu ruhet akoma filozofia e ushqimit të shëndetshëm dhe është thelbi i gjithçkaje që unë bëj. Kjo që shihni ju sot, u ndërtua rreth e rrotull ushqimit.
Ne kishim një tokë këtu që e trashëgoi burri. E mbollëm atë tokë. Kështu lindi gjithçka, nga mbjellja e tokës. Kur erdhëm fillimisht kjo tokë ishte veç me jonxhë, në blemë disa toka përreth, i mbollëm, ndërtuar edhe arritëm këtu ku jemi. Mua më janë dashur 5 vjet që të ngre këtë agroturizëm. Ne kemi hotelin këtu, kemi dy restorante, njëri është tradicional që është edhe për fëmijët, kemi edhe restorantin tjetër që është i dedikuar për të rriturit që të shijojnë në qetësi një ushqim ne duam ta përpunojmë dhe ta sjellim në një nivel tjetër".
Gjithçka te Blerina rrotullohet rreth ushqimit, ndaj ajo rëndësinë më të madhe ia jep tokës, ku ka mbjellë në tri sera perime, zarzavate që turistët kur të venë të hanë ushqime bio.
“Ne këtu zbatojmë një model që duhet ta zbatojmë të gjithë fermerët. Është modeli i riciklimit. Tokën nuk e pasurojmë me pleh kimik, sepse kemi kafshët. Me mbetjet e kafshëve pasurojmë tokën, ndërsa mbetjet nga gjelbërimi shkojnë si ushqim për kafshët. Ne në sera kemi domate, kastravecë, speca, lakra, sallatë jeshile, lakra kale që ka hyrë së fundmi në Shqipëri edhe është perimja më e shëndetshme që ekziston. Përveç serave, kemi edhe kafshët tona, disa janë autoktone shqiptare si dhia e Dukatit, delja e Tragjasit. Ne kafshët nuk i përdorim për mish, por vetëm për qumësht. Mishin e marrim gjithmonë nga fermerë të vegjël të zonave përreth Tiranës. Edhe djathin e marrim në Tragjas dhe fermerë të vegjël. Qëllimi ynë është të mbështesim fermerët e vegjël, që të krijojmë një rrjetëzim edhe kështu ta shohim agroturizmin si të ardhmen e vendit.
Agroturizmi ynë ka ndihmuar shumë në zhvillimin e kësaj zone, e cila kur erdhëm ne në fillim ishte veç me baltë, ndërsa tani janë ndërtuar rrugë, njerëzit e tjerë kanë ndërtuar vila, po punojnë tokat. Gjithë zona ka ndryshuar për shkak të filozofisë që solli ferma në këtë zonë.”, thotë Blerina./dritare.net

















