
Trafikoi 19 kg kanabis me valixhe nga Tajlanda, në pranga i riu në Rinas!
Dritare.net
Rreth 400 mijë euro do të kushtonte nëse do të hidhej në treg, kanabisi që një 39-vjeçar nga Tepelena, tentoi të kalojë përmes aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, teksa erdhi me avion trazit nga Tajlanda.
19.4 kilogramë kanabis me përqindje të lartë THC, Dhimitër Shehu i kishte fshehur në valixhen që mbante me vete. Në operacion morën pjesë drejtoria për hetimin e narkotikëve, policia e Tiranës, dhe komisariati i Rinasit, nën drejtimin e Prokurorisë së kryeqytetit.
Një informacion për një valixhe nga Tajlanda që ishte nisur në drejtim të Tiranës, me tranzit, dhe që ishte në posedim të Dhimitër Shehut, i erdhi Antidrogës së Tiranës 3 ditë më parë përmes inteligjencës informative.
Valixhja, në të cilën dyshohej se fshihej lënda narkotike me THC fillimisht u konstatua në Dubai, dhe u mbajt nga autoritetet atje, ndërsa poseduesi i saj, Dhimitër Shehu, u la të udhëtonte drejt Tiranës.
Antodroga, fillimisht e arrestoi në flagrancë 39-vjeçarin, ndërsa u vu në dijeni nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe se valixhja do të nisej drejt Shqipërisë të dielën.
3 ditë pas arrestimit, hetimi u kompletua me provën kryesore materiale pas mbërritjes në destinacin në aeroportin e Rinasit. Pasi u peshua, rezultoi me peshë 19.4 kg, me vlerë 388 mijë euro.
Hetuesit kanë dyshime për persona të tjerë të përfshirë, të huaj dhe shqiptarë, të lidhur me rastin konkret, të cilët po verifikohen.
Lënda narkotike, e cila u sekuestrua, sipas policisë do të shitej në tregun shqiptar.
Zakonisht në rastet e tranzitit, kur hasen sende të paligjshme në aeroporte, procedurat kryhen në vendin që lënda narkotike kapen, si në rastin konkret EBA, por ky i fundit, vendosi të dërgojë valixhen në destinacionin final, në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, për shitje në Shqipëri, është goditur një tjetër rast i tentativës për futje të lëndës narkotike me përqindje të lartë të lartë THC.
Pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe regjistrimit të procedimit penal në Prokurorinë e Tiranës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të këtij procedimi proaktiv, finalizoi operacionin policor antidrogë të koduar “Pako 6”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Dh. Sh.,39 vjeç, banues në fshatin Kras, Tepelenë.
39-vjeçari që udhëtonte nga Tajlanda në Shqipëri, kishte me vete një valixhe me 19 kg e 400 g lëndë narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, e cila iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetime të thelluara për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./E.P-dritare.net

















