Ah ky zëri i Saimir Pirgut në Operën e Vjenës, më kënaqi shpirtin!

Nga Fjorda Llukmani

Cila është gjëja e parë që të shkon në mendje kur përmendet Vjena? Besoj shumica prej jush mendojnë operën dhe kulturën e muzikës klasike. Mbaj mend që e vogël te TVSH-ja jepnin koncertin më 1 janar në fillim të çdo viti. Atëherë më dukej shumë e mërzitshme të dëgjoje muzikë të tillë. Nja dy herë më kanë marrë prindërit me vete në shfaqje në Tiranë, e më zinte gjumi në karrige.

Vonë njoha miq që i binin instrumenteve klasike, shkoja në koncertet e tyre e më pëlqenin. Lartë e poshtë dëgjoja të flitej për emra shqiptarë që bënin namin në skenat e operës. Saimir Pirgu ishte njëri prej tyre. As më shtonte kuriozitetin e interesin ta klikoja në YouTube për të parë ç’bënte ky djalë që flisnin të gjithë për të. Maksimumi ndonjë foto në Google si një mashkull zeshkan simpatik. Me kalimin e viteve njeriu ndryshuaka dhe preferencat e mënyrën si e sheh botën. Të jetosh në Vjenë e mos të mësosh dy gjëra për kulturën e operës është budallallëk.

Shkova në disa shfaqje studentësh. Njëra prej tyre versioni modern i ‘ L’eslir d’amore ‘ dhe një tjetër grup ‘Kori i çunave të Vjenës’.

Më pëlqeu aq shumë sa doja të vazhdoja rregullisht në shfaqje të tilla. Tani s’mërzitesha më, madje e shijoja aq sa nuk e prekja telefonin me dorë.

Si patriote dhe tifoze e përkrahjes së shqiptarëve të suksesshëm nëpër botë, po prisja një koncert që mbahej në Operën Shtetërore të Vjenës, e quajtur ‘Staatsoper’ ku performonte ylli Saimir Pirgu.

E kam fjalën për atë Operën e bukur që keni parë të gjithë nëpër foto. Është ndërtesa e parë e madhe në unazën e Vjenës, pasi u aprovua zgjerimi i qytetit. Nuk është e vetmja, por më e përfolura dhe e vizituara nga turistët le të themi.

Punimet mbaruan në 1870 dhe për fat të keq arkitekti që ideoi pjesën e jashtme vdiq para se të përfundonte. Tre kompani vietnameze ishin të punësuar për të furnizuar me gurë që të dekorohej ndërtesa nga jashtë.


Në premierën e hapjes ishte Don Giovanni nga Mozart në pranverën e vitit 1869. Perandori Frans Josef dhe Sissi  ishin të pranishëm. Edhe pas bombardimeve të luftës, ndërtesa u rikonstruktua duke i dhënë pamjen e mëparshme. Sot, Opera Shtetërore e Vjenës konsiderohet si një nga shtëpitë më të rëndësishme të operës në botë, në veçanti është shtëpia me repertorin më të madh.


Tek lexoja për të vrisja mendjen pale sa njerëz të rëndësishëm kanë kënduar e janë ulur në këtë sallë.

Kur Rudina erdhi në Vjenë për të intervistuar Saimirin, ishte java e 150-vjetorit të krijimit të Operës.

Jashtë kishin vendosur një skenë të madhe ku jepeshin shfaqje çdo ditë. Tek intervistonte para koncertit ‘Tenorin nga ana e errët e hënës’ (kështu e ka quajtur New York Times, Pirgun), m’u tapos që duhej me patjetër ta dëgjoja live.


Shkoj me dy mikeshat e mia në koncertin e tij në Staatsoper.

Të gjithë njerëzit e veshur bukur, të qëndisur e kollarisur sa më s’ka. Megjithatë, koka më mbeti mbi tavan.

Disa piktura plot ngjyra dhe shtylla të gdhendura me skluptura aq të bukura, s’gjeja koment.

‘Kësaj i thonë të raftë tavani mbi kokë, me dëshirë ama,’- u them gocave me shaka. Një kulturë klasike yll, që të kënaq shpirtin. Para se të fillonte shfaqja na thonë se s’duhet të bëjmë as një foto ose regjistrim audio. Pse më rrihej mua pa i shkrepur një resme Saimirit, për t’ia treguar të gjithëve në Instagram?

LEXO DHE :  Foto unike që vetëm njëherë në jetë mund të shkrepen


Skenografia perfekte, dukej sikur sapo kishte ardhur nga përrallat e shekullit 18. Saimiri luante rolin kryesor të ‘L’elisir d’amore’, pra Nemorino i cili ishte i dashuruar me Adinën, një vajzë simpatike që s’ia varte. ‘Po kjo djalin tonë refuzon me? U bë kjo’- komentonim ne gocat me njëra tjetrën.


Dikush i ofron Nemorinos një pije që mund të bëjë të gjithë të binin në dashuri me ty dhe ai i shkreti atë donte. Këtu filloi telenovela pasi Adinës filloi t’i hynte në qejf duke e parë që i shkonin gocat nga mbrapa. Tipike femrash d.m.th që gjithmonë tërhiqen nga gjërat e pamundura ose që i kanë të tjerët e si kanë vetë.


Saimiri ishte pothuajse prezent e duke kënduar shumicën e kohës. Ngjarja ishte e ndarë me dy akte dhe dukej aq reale si prej vërteti. Përballë kisha një ekran që më përkthente fjalët, kështu e kuptoja më mirë fabulën. Zëri i Pirgut pastaj ç’të të them. Dukej ashiqare që shumica e njerëzve kishin ardhur për të dëgjuar atë.

Ngjitur kisha një çift austriak që kur nuk këndonte Saimiri rrinin të mbështetur në karrige pa sytë nga skena, ose merreshin me telefonin.


‘Këtë djalin që po këndon e kam shok, prandaj po shkrep dy foto që t’ia tregoj pas shfaqjes’-i drejtohem çiftit me një gënjeshtër të bardhë që të merrja ndonjë koment prej tyre. ‘Oh vërtetë sa mirë! Saimiri na pëlqen shumë, është më i miri nga të gjithë’-më kthehen ata. Unë e dija që ishte, por tjetër muhabet kur e dëgjon nga dikush tjetër se s’na mbushet mendja kollaj ne.

Pas shfaqjes nuk diskutohet që mori më shumë duartrokitje nga të gjithë. Sa më bëhej qejfi! Fansat e prisnin në rresht për të bërë foto. Zakoni e do që pasi mbaron koncerti, shkohet tek Akiu për të cilin ju kam folur më parë. Aty e pritën të gjithë me duartrokitje, përfshirë këtu edhe ne.

Njerëz të tillë që na zbardhin faqen nëpër botë na duhen më shumë. Ndonjëherë jemi xhelozë për sukseset e të tjerëve ose ato që na duken të pamundura për veten, na duken për këdo. ‘U bë ky!, ‘Pse ca i duket vetja këtij! ‘- janë fjalët që dëgjoj më shpesh për veten e të tjerët që arrijnë diçka me punë. S’është e thjeshtë të këndosh, të mbash mend gjithë ato fjalë, të koordinohesh me kolegët e tjerë në skenë, të fluturosh nga njëra e globit në tjetrën. Le që do regjim maksimal një herë.

Pirgu është për t’u vlerësuar për gjithë ato vite që i ka dedikuar jetën muzikës, shpeshherë duke hequr dorë edhe nga dëshirat apo qejfet personale. Përveç kësaj edhe për kulturën, modestinë, karizmin që e karakterizon e reklamën që i bën Shqipërisë kudo.


Mund të thoni që disa njerëz thjeshtë gjenden në vendin e duhur në kohën e duhur. Por jo, unë do thosha ndryshe: Çdo gjë ndodh për një arsye dhe çdokush merr atë që meriton e kërkon nga vetja./dritare.net



1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.