Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

A do zhbllokohet lotaria amerikane 2027? Ja çfarë vendosi gjykata!

A do zhbllokohet lotaria amerikane 2027? Ja çfarë vendosi gjykata!


Lotaria Amerikane për vitin 2027 do të mbetet e pezulluar. Gjykata Federale e Apelit në Shtetet e Bashkuara vendosi të enjten, më 29 tetor, të bllokojë përkohësisht një vendim të mëparshëm që detyronte administratën e presidentit Donald Trump të rihapte aplikimet për programin e njohur si Green Card Lottery.

Vendimi i ri i jep të drejtë administratës amerikane të mbajë të pezulluar procesin e regjistrimit, ndërkohë që vijon shqyrtimi i çështjes në apel. Kjo do të thotë se aplikimet për Lotarinë Amerikane 2027 nuk do të hapen sipas afatit të përcaktuar më parë, më 1 nëntor.

Më 14 tetor, një gjykatë federale në Kaliforni kishte urdhëruar Departamentin Amerikan të Shtetit të riniste programin DV-2027, pas padisë së ngritur nga firma ligjore Red Eagle Law. Sipas atij vendimi, autoritetet duhej të shpallnin datat e regjistrimit deri më 29 tetor dhe të hapnin aplikimet jo më vonë se 1 nëntori.

Por administrata Trump e kundërshtoi vendimin, duke kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës së Apelit. Kjo e fundit pranoi kërkesën urgjente të qeverisë dhe pezulloi zbatimin e urdhrit për rihapjen e lotarisë. Vendimi nuk përbën një anulim përfundimtar të Lotarisë Amerikane 2027. Ai lejon që programi të mbetet i bllokuar gjatë procesit gjyqësor, pa përcaktuar ende një datë të re për fillimin e aplikimeve.

Programi Diversity Visa ofron deri në 55 mijë viza emigrimi në vit për shtetas nga vende me nivele relativisht të ulëta emigracioni drejt Shteteve të Bashkuara.

Për mijëra qytetarë që presin të aplikojnë, përfshirë edhe shqiptarët, vendimi krijon një tjetër periudhë pasigurie, pasi ende nuk dihet se kur mund të rinisë procesi i regjistrimit./dritare.net