5 arsye pse këtë të shtunë duhet të jesh në TIRANA PRIDE 2019 dhe ti!

Nga Xheni Hatillari

Kur flas për këtë çështje, mendoj që deri para disa viteve kam jetuar në një flluskë e shumë gjëra s’dija t’i emërtoja (më vonë mësova se jo çdo gjë ka nevojë të emërtohet vërtetë!).
Kështu, me kalimin e viteve bota ime u zgjerua e ndofta jam me fat, por kam njohur njerëz që i përkasin grupimeve të ndryshme dhe kam parë dimensionet e tyre më të mira. Kjo e tjetërsoi Xhenin e disa viteve më parë, e bëri mendjehapur dhe kurioze për të njohur se bukuria nuk varet nga etiketa me emërtime sipër, që të qenurit mik/mikeshë e mirë nuk ndikohet nga jeta jote seksuale. Mendoj që erdhi natyrshëm tek unë t’i dua njerëzit më shumë sesa ajo që mund të përfaqësojnë në një sferë apo tjetrën.
Më kujtohet shpesh sesi kur flisja në universitet me shokët e klasës rreth faktit që unë kisha miq të mirë nga komuniteti LGBTI apo që s’më bezdisnin aspak shijet seksuale të gjithsecilit e nuk mund të paragjykoja mbi këtë, një prej tyre m’u qep për disa muaj e më pyeste nëse isha lesbike. Kishte momente aq bezdisëse sa për të kënaqur kureshtjen e tij isha gati t’i thoja ‘PO!’ si për t’i thënë që edhe personat që i përkasin kësaj prirje seksuale janë njësoj dhe s’mund t’i dallosh në turmë.
Unë kam pasur mundësinë të njoh nga afër punën që bëjnë anëtarë të konsorciumit të organizatave që mbajnë aktivitetin e Pride-it: mes shumë paragjykimeve, problemeve personale që i duhet t’i bëjnë ballë dhe gjithë vështirësi të rastit kur advokon për një kauzë të tillë, disa prej tyre gjetën kohën të ndanin me mua ca minuta për të ideuar këtë artikull. Jam fanse e madhe e punës së tyre, si aktiviste por dhe si qytetare! Kam parë pasion që mendoja që kish humbur mes aktivistësh e kam parë projekte që japin produkt si rrallë ndonjëherë në shoqërinë tonë. Kështu për këtë artikull vendosa të kaloj një ditë pranë tyre për të parë përgatitjen për eventin e radhës.
Këtë të shtunë është PRIDE-i në Tiranë i organizuar nga Aleanca LGB, ProLGBT dhe STREHA që do të jetë dhe parada e dytë që unë do t’i bashkohem, por këtë vit dua të vish edhe ti! Ja pse:

 

  1. Komuniteti yt = suportoje!

Duke qenë se ndonjëherë na pëlqen të distancohemi nga problemet e komshiut dhe shohim vetëm brenda derës së shtëpisë sonë, duhet të dish se nëse pjesëtarë të komunitetit ku ti jeton po përballen me një sfidë a problem, kjo të ndikon dhe ty. Në një botë ku po përjetojmë gjuhën e urrejtjes offline dhe online, ku nuk na pëlqen të paragjykohemi por gjykojmë, gjëja më e vogël që mund të bëjmë është të jemi aty për ata që kanë nevojë për suportin tonë. Pride-i është një hapësirë e sigurt, komforte për personat LGBTI, ndaj të gjithë duhet të krijojmë më tepër hapësira të tilla. Fundja, unë do shkoj se dua që nëse ndodh një ditë që fëmija im të jetë pjesë e këtij komuniteti, dikush ta përkrahte. Karma, miq!

  1. Bashkohu për kauzën, bonus = shumë qejf!

Pride-et që kur kanë nisur në 28 Qershor 1969 në mbarë botën janë njohur për shumë ngjyra, argëtim e shumë pozitivitet. Nuk ju japin dhe ju ndopak gëzim kur shikoni fotot e Pride-eve të realizuara deri tani që po iu bashkangjis këtu më poshtë? Nëse jo, këtë vit ta dini që ka një bombë ngjyrash, argëtimi dhe diversiteti që do mbushë Javën e Krenarisë dhe finalizimin me Pride-in ditën e shtunë. Nga data 13-16 Maj keni një super ekspozitë nga Loreta Cuka që titullohet “Dollape të zbrazët” që është një vështrim pa filtra brenda realitetit në të cilin komuniteti LGBT+ jeton në Shqipëri.

“Ajo dokumenton përpjekjet e tyre për t’u pranuar nga familjet dhe shoqëria si dhe vështirësitë e këtij realiteti, jeta e dyfishtë që shumica e tyre adoptojnë dhe përjetimet e tyre personale.” është ajo vetëm një esencë e asaj që më thonë për këtë ekspozitë. Të martën mbrëma, u organizua një Gala plot klas e fytyra të qeshur të cilën uroj ta kenë ndjekur disa prej jush së paku. E ndërsa i afrohemi të shtunës, këtu duhet të bëheni gati: një event që nis nga Parku Rinia me instalacione dhe lojëra, muzikë e festë. Do të ketë face painting ndaj nëse dhe ti si unë po e vret mendjen si t’ia bësh respektin festës, mos u merakos! Mund të shkosh me mikeshat,partnerin, shokët apo mamin/babin, për një gjë jam e sigurt: askush s’do të paragjykojë aty!

LEXO DHE :  Dronet sulmojnë objektin më të madh në botë, për përpunimin e naftës

  1. Do të ndryshosh botëkuptimin tënd, më beso!

Para disa ditësh më ngeli në mendje një shprehje që lexova nëpër libra: “What you don’t see, you can’t understand!” që lidhet edhe me faktin që shumë nga ne shpesh disa gjëra që nuk duam t’i pranojmë pretendojmë se nuk i shohim sepse nuk ekzistuakan!
Epo, miq ka ardhur momenti që të kthjelloheni dhe kuptoni një herë e përgjithmonë që të qenurit gay apo lezbike nuk është një realiteti utopik, as një shpikje për t’u dukur më “cool”.
Jo, ky komunitet ekziston dhe mund të jetë kushdo rreth jush që edhe mund të mos e mendonit kurrë. Dhe është shumë ok!
Nëse mendoni se s’ka asgjë për të na shqetësuar lidhur me problemet e komunitetit, e dinit se Komuniteti LGBTI+ në Shqipëri ka raportuar 421 raste të dhunës fizike dhe psikologjike vetëm gjatë vitit 2018. Biles vetëm 1% e anëtarëve të këtij komuniteti mund të dalin hapur para të afërmve dhe familjarëve për preferencat e tyre. E nëse këto s’të mjaftojnë për t’u bërë pjesë e paradës, dije që shpesh kur kërkojnë mbrojtje në instancat shtetërore për raste dhune, shumë shpesh individë të komunitetit LGBTI hasin në dhunë apo injorim të problematikave të tyre. Ti je një hallkë në shoqëri ndaj duhet të vish në Pride, ta shohësh realitetin më në fund dhe të veshësh këpucët e tyre!

  1. Të drejtat e njeriut nuk janë shaka!

Marrja e shërbimeve të ndryshme pa dallim për të gjithë individët e një shteti është një e drejtë themelore. Për fat të mirë, në Shqipëri nuk kemi hasur një PRIDE të dhunshëm siç mund të ketë ndodhur në vendet fqinje siç ishte rasti i Turqisë në vitin 2015, ku turma u shpërnda me gaz lotsjellës. Në një vend si Shqipëria, ku pak dihet në kulturën e përgjithshme për mbrojtjen e shëndetit e kryesisht atij riprodhues apo ofrimin e shërbimeve psikologjike ndaj këtij komuniteti dhe lehtësira të ndryshme për përmirësimin e jetës së tyre, mund të themi që ka ende punë për të bërë. Të drejtat nuk duhen marrë për të mirëqena! Sikundër protestojmë për shkaqe të ndryshme që na shqetësojnë, edhe në PRIDE do ishte fantastike të ishim të gjithë bashkë për të ngritur zërin mbi rastet e bullizmit 10 herë më shumë tek fëmijët LGBTI apo diskriminimin institucional që i bëhet adultëve të komunitetit në vendin e punës! Duhet t’iu kujtoj që në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, risjellim në vëmendje dhe detyrimin ligjor që ka Shqipëria si shtet kandidat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor.

  1. Socializohu dhe bëj miq të rinj!

Më besoni që nëse jeni natyrë kurioze si puna ime, që diversiteti ju duket gjëja më e bukur që i ka ndodhur njerëzimit dhe që vdisni të “mingle” vërdallë e takuar miq, ky është eventi i duhur ku duhet të jeni këtë të shtunë! Nuk do e besoni sa shumë miq që nuk e dija që suportonin komunitetin LGBTI kam takuar gjatë Pride-it të parë ku kam marrë pjesë. E sa shumë institucione gjithashtu e mbështetin si për shembull delegacioni i EU etj. Duke qenë se ky është viti i 8-të i Paradës, miqtë e aleatët janë shtuar dhe s’mund të bësh ndryshe dhe ti.
Fundja, çfarë mund të ketë më interesante për të bërë këtë të shtunë gri sesa t’i shtosh ngjyra e të festosh dashurinë?!/dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.