Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

40 mjete taktike “Made in Albania” i bashkohen Forcave të Armatosura

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë marrë në dorëzim 40 mjetet e para taktike të prodhuara në vend, sipas standardeve të NATO-s, nga kompania “Timak Defence”.

Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në prani të Kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi këtë moment si historik për industrinë e re ushtarake shqiptare. Sipas tij, Shqipëria po kalon nga një vend që vetëm blen dhe përdor teknologji mbrojtjeje, në një vend që projekton, zhvillon dhe prodhon kapacitete të veta.

Prodhimi i mjeteve është realizuar në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare të industrisë së automjeteve, ndërsa montimi dhe prodhimi i tyre janë kryer në Shqipëri. Partneriteti mes “Timak” dhe kompanisë shtetërore “KAYO” synon të forcojë industrinë vendase të mbrojtjes dhe të rrisë përfshirjen e shtetit shqiptar në këtë sektor strategjik.

Kryeministri Rama deklaroi se objektivi është që deri në vitin 2028 Forcat e Armatosura të kenë kapacitetet e nevojshme të mjeteve dhe pajisjeve, nga automjetet e lehta deri te sistemet më të avancuara të mbrojtjes. Ai theksoi gjithashtu se po punohet për prodhimin në Shqipëri të mjeteve të tjera, përfshirë zjarrfikëse dhe autoambulanca.

Sipas Ramës, “Timak Defence” ka siguruar porosi nga rreth 30 vende, përfshirë vende anëtare të NATO-s, si dhe institucione ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore.

Gjatë ceremonisë u bë e ditur gjithashtu se Shqipëria po zhvillon projekte të reja në fushën e mbrojtjes, përfshirë teknologjitë e dronëve dhe sistemet kundërajrore. Rama deklaroi se synimi është që një pjesë e këtyre kapaciteteve të prodhohen në vend, nën markën “Made in Albania”.

Dorëzimi i 40 mjeteve të para shihet si një hap i rëndësishëm në strategjinë për ringritjen e industrisë ushtarake shqiptare dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese vendase në fushën e mbrojtjes.