

Në fundin e nëntorit dhe fillimin e dhjetorit 2018, vizitova Teheranin dhe disa qytete të tjera mjaft të rëndësishme për anën kulturore dhe strategjike të Iranit.
Në turin që zgjati rreth 10 ditë, vizitova dhjetëra objekte e vende të rëndësishme të Teheranit, i cili ka plotë 15 milionë banorë.
Gjatë gjithë ditëve, në darkë, takoja të rinj iranianë, që dilnin buzë një rrugice ku ishin instaluar disa bar-kafe të lëvizshme dhe bisedonim për orë të tëra së bashku.
Të rinjtë iranianë, ishin plot ëndrra, plot dëshira, dhe të dashuruar pas jetës, por ata kishin një pengesë të madhe, për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Ishte pikërisht Irani, Irani si shtet, Irani si qeveri, dhe Irani si udhëheqje, madje edhe Irani si rajon.
Ata nuk lëviznin dot nga vendi i tyre. A e dini se cila ishte dëshira më e madhe e një të riu Iranian diku rreth të 20-tave?
“Dua të shkoj një herë në një disko.”-mu përgjigj ai kur e pyeta unë. “Këtu nuk mund të bëjmë shumë gjëra” –shtonte një tjetër iranian i ri, pa pikë faji që gjendej në atë izolim, ku e kishte hedhur Zoti.
E sa herë hapej tema për Amerikën, ata thoshin: “Të lutem mos fol për Amerikën, iranianët e urrejnë” -të rinjtë thoshin “iranianët” jo “unë” jo “ne”, e dini pse? Sepse ata nuk e ndjejnë, ndoshta nuk e kanë ndjerë kurrë veten pjesë të atij vendi, dhe sot e kanë për turp ta thonë “unë jam iranian”. Në të vërtetë ai është iranian, është iranian, që nuk i intereson hiç se ç’ndodh as me Ajetollahun, as me Hassan Rouhanin, aq më pak për Kasem Sulejmanin, ai do të jetojë si perëndimoret, do të jetë lirë të hipë në avion në çdo kohë që të dojë, e të “fluturojë” në një botë të lirë.
Brezi i dy dekadave të fundit në Iran, duan të jenë të shkolluar, dhe janë të shkolluar, por duan të bëjnë karrierë në botë, si shkencëtarë, e si profesorë, por jo në Iran si prodhues bombash kamikaze, e armësh vrastare që e kanë gjakosur prej vitesh Lindjen e Mesme, kanë gjakosur vendin e tyre, dhe popullin e tyre, familjet e tyre.
“20 vjet burg dënohemi nëse na kapin duke parë Netflix.”,-më thotë një iranian i ri, që punonte si taksist. 20 vjet burg, vetëm pse sheh filma nga një prej markave më të njohura në botë, që ka bërë prodhime të jashtëzakonshme kinematografike. E pse? Janë prodhime amerikane! Vetëm kaq, janë amerikane! Gjithçka që është amerikane, është e ndaluar në atë vend.
Si brez i ri as nuk dua t’i hyj polemikave duhej apo nuk duhej vrarë Kasem Sulejmani, duhet apo jo vazhdimësia e luftës në Lindje të Mesme. Por, si një njeri i shkolluar për Shkenca Politike, si një gazetar, dhe si një qytetar i angazhuar që i ka ndjekur me interes zhvillimet globale, dhe problemet e shekullit XXI, nuk kam si të jem ndryshe, por jam qartazi pro luftës kundër çdo terroristi, dhe pro luftës kundër terrorizmit dhe çdo ekstremizmi që pashmangshmërisht çon në luftë.
Gazetarja e njohur, Rudina Xhunga tha sot se “Kasem Sulejmani nuk përfaqëson Iranin, ai përfaqëson terrorizmin”, dhe kjo është fjalia më e saktë që kam dëgjuar. Pra, Kasem Sulejmani nuk përfaqëson atë 20-vjeçarin në Teheran, që do të jetë i mirëshkolluar, i punësuar, i lirë, dhe mbi të gjitha nuk do të shohë më bomba mbi apo në shtëpinë e tij, ai përfaqësonte pjesën më të ndyrë të botës, pjesën që ushqehen me gjakun e njerëzve, dhe atë pjesë që nuk jeton dot pa vrasje e terror në glob.
Kasem Sulejmanin, dhe të gjithë Kasemët e tjerë që ai përfaqësonte anembanë Lindjes, e përtej Lindjes duhen vrarë, sepse brezi i dy dekadave të fundit do të jetojë i lirë në këtë botë, këta breza nuk duhet ushqyer më me idetë kriminale të Kasemëve kudo ndodhen atje, dhe edhe brezi ynë në Shqipëri, nuk duhet ta shohë gjënë në aspektet e thella pasi për këtë sigurisht duhet edhe përvojë, edhe shkollim, por mjafton që Kasemi ka përfaqësuar terrorin dhe grupet ekstremiste në Lindje, për të thënë, mjaft më, na hiqni prej syve këtë kategori njerëzisht kaq të vegjël që siç do të thoshte autori i njohur arab Amin Maalouf po çorodisin botën!/dritare.net

















