Na ndiqni edhe në

Bota

Rrëzimi i Air India/ Çelësat e karburantit u fikën papritur. Ja çfarë zbulohet nga hetimi!

Rrëzimi i Air India/ Çelësat e karburantit u fikën
Rrënojat e avionit Boeing 787-8 Dreamliner të Air India në Ahmedabad. Foto: Reuters

Rrëzimi i një avioni të kompanisë Air India muajin e kaluar ka ngritur shqetësime të thella mbi sigurinë dhe procedurat në kabinën e pilotit. Një raport paraprak i Byrosë së Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Indisë (AAIB) tregon se furnizimi me karburant i motorëve u ndërpre menjëherë pas ngritjes, përmes aktivizimit të çelësave që zakonisht përdoren vetëm në raste emergjente.

Sipas dokumentit 15-faqësh, çelësat që kontrollojnë furnizimin me karburant për Motorin 1 dhe Motorin 2 u zhvendosën nga pozicioni RUN në CUTOFF, brenda një sekonde nga njëri-tjetri, informon Dritare.net, kjo solli uljen e menjëhershme të fuqisë së motorëve, çka më pas çoi në rrëzimin tragjik të avionit.

Rrëzimi i Air India/ Çelësat e karburantit u fikën
Një diagramë në raport tregon se si aeroplani u përplas me një ndërtesë. Foto: AAIB

Në regjistrimet audio të kabinës së pilotëve, dëgjohet një nga pilotët duke pyetur tjetrin: "Pse e ndërpreve?", me përgjigjen që pason: "Nuk isha unë!", duke nxjerrë në pah konfuzionin në momentet e fundit.

Raporti nuk përcakton qartë nëse veprimi u bë nga kapiteni apo oficeri i parë dhe nuk ka ndonjë tregues për ndonjë emergjencë që do ta justifikonte fikjen e motorëve. Ekspertët e aviacionit kanë ngritur dyshime se çelësat nuk mund të aktivizohen rastësisht, pasi kërkojnë veprime të qëllimshme për t’u zhvendosur në pozicionin “CUTOFF”.

David Learmount, analist i njohur i sigurisë ajrore, tha për Sky News se situata tingëllon e qëllimshme, por nuk përjashton mundësinë e një gabimi njerëzor të rrallë. Ai thekson se çelësat e karburantit janë larg nga kontrollet e tjera të avionit dhe kanë një dizajn specifik për të parandaluar manipulimin aksidental.

Edhe Tim Atkinson, pilot dhe konsulent i aviacionit, theksoi se janë shumë pak situata që mund të justifikojnë një veprim të tillë, duke shtuar: “Ose ishte një gabim i jashtëzakonshëm, ose një veprim i qëllimshëm – pa e sugjeruar këtë si përfundim, por si analizë të mundshme.”

Njëri nga motorët arriti të rinisë, por nuk pati mjaftueshëm fuqi për të shmangur rrëzimin. Avioni përfundoi i përplasur në një konvikt të një kolegji mjekësor në qytetin Ahmedabad, duke shkaktuar shkatërrim total dhe një zjarr të madh.

Të dy kutitë e zeza të avionit janë gjetur dhe po analizohen për të dhënë më shumë detaje mbi atë që ndodhi. Deri më tani, AAIB nuk ka dhënë asnjë rekomandim për kompaninë Air India, as për prodhuesit Boeing 787-8 dhe GE GEnx-1B.

Ngjarja tronditëse ka ngritur sërish pyetje rreth kontrollit dhe trajnimëve të brendshme të pilotëve, ndërkohë që hetimet vijojnë intensivisht./E.P-dritare.net