Na ndiqni edhe në

Arkiv

Zbulohen fotot e presidentit Meta me Hajrat në kompleksin Golden

Zbulohen fotot e presidentit Meta me Hajrat në kompleksin Golden
Shqiptarja.com publikon ekskluzivisht fotot e presidentit Ilir Meta me dy eksponentë të botës së krimit, Xhevdet Troplinin dhe Altin Hajrin, teksa ndodhen duke festuar e ngritur dolli tek pista "Ventus Harbor" në Durrës në zonën e "Vollgës" që ish-deputeti Lefter Koka ka në pronësi.

Fotot ekskluzive mendohet të jenë bërë në korrik 2017, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qeshorit, ndërkohë që Ilir Meta ishte president i emëruar, dhe mendohet se "sebepi" ishte për të festuar fitoren e Lefter Kokës i dalë deputet nga këto zgjedhje.

Në këtë tryezë miqësore të mbushur me ushqime dhe alkool, presidenti Ilir Meta ka në krah Xhevdet Troplinin.

Në njërën nga fotot ekskluzive  Meta shfaqet duke ngritur dolli teksa në krah ka pikërisht Xhevdet Troplinin, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës dhe subjekt i OFL-së që duhet të justifikojë pasurinë.

Ilir Meta duke ngritur dolli, ne krah t tij Xhevdet Troplini

Në foton tjetër shfaqet Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit dhe ish-deputet i LSI-së, krah për krah me Altin Hajrin.

Lefter Koka dhe Altin Hajri

Ndërkohë në një foto që ka panoramë të gjithë tryezës, Meta e ka përballë Altin Hajrin dhe në krah të tij, si mikritësin e kësaj tryeze, Xhevdet Troplinin.

Nga pozicioni që janë ulur në tavolinë, duket që organizatori i festës është Xhevdet Troplini, i cili është ulur pikërisht mes Lefter Kokës që ka rastin për të festuar, dhe Ilir Metës, i ftuar si president dhe lideri që drejtoi gjithë fushatën e LSI-së, edhe pse ishte emëruar kryetar shteti. Pra fotoja lë shumë të kuptohet se nuk është një prezencë rastësore e Xhevdet Troplinit në këtë tryezë, ku shfaqet  i pozicionuar në mesin e dy personazheve kryesorë të festës.

Foto e pergjithshme e tavolines, perballe Metes Altin Hajri (me rreth jeshil), ne krah te tij Xhevdet Troplini

Altin Hajri është pronari i kompleksit luksoz "Golden" në Shijak, që u kthye në skenën e krimit më të rëndë të ndodhur së fundi në Shqipëri, pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 janar, tashmë i sekuestruar me vendim gjykate. Hajri rezulton i shpallur në kërkim nga policia për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës pas prishjes së pazarave të kokainës nga vëllai i Prengës në Angli dhe bandave që udhëheqin trafikun e drogës nga Shqipëria, mes të cilëve edhe Hajri./shqiptarja.com