
Fotoreporteri britanik Robert Hackman sjell sot në DritareTV një udhëtim në historinë e xhubletës, përmes rrëfimeve të etnologes dhe antropologes Luljeta Dano, mjeshtres së fundit File Kola.
Xhubleta, fundi i zi në formë kambane, i valëzuar dhe i zbukuruar me ornamente mahnitëse, nuk është thjesht një veshje kombëtare e grave të veriut të Shqipërisë. Ajo është dëshmi e gjallë e një kulture mijëravjeçare, e cila mbart historinë, mitologjinë dhe identitetin e malësorëve shqiptarë. Përfshirja e saj në UNESCO, në vitin 2022, riktheu vëmendjen ndërkombëtare te ky thesar që sot rrezikon të humbasë.
Në dokumentarin e realizuar për DritareTV, Robert Hackman takon njerëzit që studiojnë, ruajnë dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë xhubletën.
Etnologia dhe antropologia Luljeta Dano, themeluese e Qendrës Antropologjike të Xhubletës, shpjegon se kjo veshje përmban elemente të kulturave të lashta minoike dhe ilire. Ornamentet e saj paraqesin simbole kozmogonike, lëvizjen e diellit dhe të yjeve, por edhe figura detare, si delfinët dhe gaforret. Prania e këtyre motiveve në një veshje të përdorur në viset e thella malore mbetet një nga misteret më tërheqëse të saj.
Dikur, xhubleta tregonte edhe pozitën shoqërore të gruas. Një nuse nga një familje e varfër mund të kishte vetëm tri të tilla, ndërsa gratë e familjeve të pasura merrnin në pajë shtatë deri në nëntë xhubleta.
Mes tyre ishte edhe “Xhubleta e Vdekjes”. Ajo përgatitej që në rini, vishej ditën e martesës dhe gjatë vitit të parë të saj, më pas ruhej për t’u veshur në ditën e fundit të jetës. Xhubleta bëhej kështu pjesë e pandashme e fatit dhe e identitetit të gruas.
Ndërtimi i saj shoqërohej edhe me besëtytni. Sipas Luljeta Danos, nëna dhe motrat nuk lejoheshin ta shikonin gjatë punimit, nga frika se syri i keq mund të ndikonte në fatin që qëndisej në të.
Në vitet ’70, gjatë regjimit komunist, gratë malësore u detyruan gradualisht ta hiqnin xhubletën, pasi veshja e rëndë dhe komplekse nuk përshtatej me punën në kooperativa dhe fabrika. Në vitin 1975 u regjistrua edhe gruaja e fundit që e mbajti atë rregullisht, duke shënuar fundin e përdorimit të saj të përditshëm.
Sot, rreziku më i madh është zhdukja e mjeshtërisë së ndërtimit. File Kola, me origjinë nga Malësia e Madhe, konsiderohet një nga dijebërëset e fundit që mund ta realizojë xhubletën nga fillimi deri në fund. Ajo e mësoi këtë mjeshtëri që në moshën shtatëvjeçare.
“Pa bërë spikun dhe xhubletën, askush nuk të merrte nuse”, rrëfen ajo, duke treguar rëndësinë që kishte kjo aftësi në jetën e vajzave të asaj kohe.
Një xhubletë autentike kërkon qindra metra material dhe muaj të tërë pune. Një prej xhubletave 270-vjeçare të ruajtura nga File Kola përmban rreth 180 metra spik, ka 25 rreshta dhe peshon afro 17 kilogramë. Monedhat e argjendta dhe lirët e vendosura mbi të dëshmojnë statusin e lartë të gruas që e ka mbajtur.
Dëshira e File Kolës është të hapë një kurs ku t’ua mësojë këtë mjeshtëri vajzave të reja, që sekreti i ndërtimit të xhubletës të mos shuhet bashkë me brezin e saj.
Në dokumentar shfaqet edhe Pamela, një vajzë e re e veshur me xhubletë, si simbol i lidhjes ndërmjet trashëgimisë së lashtë dhe brezit të ri.
Sepse xhubleta nuk mbijeton vetëm falë mbrojtjes së UNESCO-s. Ajo jeton për sa kohë ka duar që dinë ta krijojnë, gra që e veshin dhe një shoqëri që zgjedh të mos e harrojë./dritare.net