Balla u përgjigjet akuzave të opozitës: Kuvendi s’bën ligje me porosi, mund t’i drejtoheni drejtësisë
Dritare.net

Taulant Balla mohoi akuzat e opozitës në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE se ligjet e hartuara nga Kuvendi janë me porosi. Ai i ftoi t’i drejtohen drejtësisë, ndërsa shtoi se Paketa e Maleve për të cilën opozita ka kërkuar shfuqizim, sjell mundësi zhvillimi.
Për reformën territoriale që opozita e quan “të njëanshme”, Balla tha se komisionit i mbaroi afati, ndërsa ai nuk e sheh si një reformë të thellë.
“Nuk është e vërtetë që Kuvendi bën ligje me porosi. Është çështje këndvështrimesh dhe jeni të mirëpritur t’u drejtoheni organeve të drejtësisë.
Sa i takon Paketës së Maleve do t’i japë zonave të ndryshme mundësi zhvillimi për një sektor që është jetik për ne, agroturizmi.
Për territorialen, duhet të jemi korrekt: atij komisioni i përfundoi mandati dhe nuk pati dakordësi për zgjatjen e afatit. Procedura parlamentare nuk ka përfunduar, sapo ka kaluar në fazën e shqyrtimit në parlament. Nuk është një reformë e thellë, kalohet nga 61 në 46”.