Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vrau gruan me thikë në zemër, Gjykata e Tiranës lë në qeli 68-vjeçarin

WhatsApp Image 2026-09-19 at 5.01.12 PM.jpeg

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën arrest në burg për Hysni Patushin, 68-vjeçarin që akuzohet se vrau gruan e tij paraditen e së shtunës, Lumturie Patushin.
Masa për 68-vjeçarin u bë në mungesë pasi aktualisht është i shtruar në QSUT, pasi ka probleme me zemrën.

Pasi goditi bashkëshorten, Hysni Patushi u largua menjëherë nga banesa. Brenda mbetën vetëm dy fëmijët dhe gjyshja e tyre. Ishte nipi 14-vjeçar ai që telefonoi policinë dhe kërkoi ndihmë. Kur policia mbërriti në apartament, 58-vjeçarja kishte ndërruar jetë, ndërsa dy nipërit ishin ende në banesë, të tronditur nga ajo që kishin parë.


"Në shtëpi erdhi gjyshi. Ai filloi të grindej me gjyshen dhe më pas e goditi me thikë", ka deklaruar 14-vjeçari para hetuesve, duke përshkruar me pak fjalë skenën e krimit.

68-vjeçari ishte larguar në këmbë nga vendi i krimit. Gjatë arratisjes ai hodhi edhe thikën e përdorur në vrasje rreth 200 metra larg pallatit. Arma u gjet dhe u sekuestrua nga policia, ndërsa vetë Patushi u arrestua pak orë më vonë në banesën e një kushëriri në Kamzë.


Në dëshminë e tij para hetuesve, Hysni Patushi është përpjekur të shpjegojë konfliktin me bashkëshorten. Ai ka thënë se prej kohësh debatonte me të, pasi, sipas tij, ajo rrinte më shumë në shtëpinë e vajzës sesa në banesën e tyre në Don Bosko. Ditën e ngjarjes, pretendon se e telefonoi dhe ajo i tha se ndodhej te TEG-u. Kur shkoi në banesën e vajzës dhe e gjeti aty, mes tyre nisi debati.

"Në debat e sipër e kam goditur me thikë në zemër", citohet të ketë deklaruar ai para hetuesve.
Çifti jetonte në zonën e Don Boskos, por shkonte shpesh në banesën e vajzës për t'u kujdesur për dy nipërit. Pikërisht aty ndodhi edhe krimi që u mori jetën 58-vjeçares.

Në vitin 2017 Patushi ishte arrestuar për dhunë në familje, po ndaj bashkëshortes së tij.