Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Granit Xhaka pranon certifikatën e rreme të vaksinimit, përballet me hetim në Zvicër

Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, ka pranuar se gjatë pandemisë së COVID-19 kishte siguruar një certifikatë të rreme vaksinimi. Për këtë çështje, Prokuroria e Luzernit ka nisur hetimet dhe pritet ta marrë në pyetje futbollistin në fillim të tetorit.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Xhaka tha se në atë periudhë ishte i shqetësuar dhe kishte mosbesim ndaj vaksinës kundër COVID-19. Ai u shpreh se, në vend që të kërkonte përgjigje për dilemat e tij përmes rrugëve zyrtare, kishte marrë certifikatën e vaksinimit.

Çështja mund të ketë edhe pasoja ligjore. Sipas legjislacionit zviceran, falsifikimi i dokumenteve mund të dënohet deri në pesë vite burg ose me gjobë, në varësi të veprës dhe rrethanave konkrete. Megjithatë, kjo është masa maksimale e parashikuar nga ligji dhe nuk nënkupton se Xhaka do të marrë një dënim të tillë.

Futbollisti pritet të merret në pyetje nga autoritetet zvicerane në fillim të tetorit. Deri në përfundimin e procedurës, për Xhakën vlen prezumimi i pafajësisë.

Rasti vjen në një moment delikat për kapitenin e Zvicrës, i cili përveç angazhimeve sportive tashmë përballet edhe me një procedurë penale. Vendimi përfundimtar do të varet nga hetimi, provat dhe vlerësimi i autoriteteve zvicerane./L.D-dritare.net