Video/ Si u arrestua Ylli Zalla! RENEA e kap pas muajsh në arrati
Dritare.net

Pas disa muajsh në arrati, policia ka mundur të arrestojë Ylli Zallën, 49-vjeçarin e shpallur në kërkim që prej nëntorit të vitit 2025. Zalla është prangosur në Krujë gjatë një operacioni të zhvilluar nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Pamjet e arrestimit janë publikuar nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili ka bërë të ditur edhe përfundimin me sukses të operacionit për kapjen e 49-vjeçarit.
Ylli Zalla ishte shpallur në kërkim në nëntor të vitit 2025, pasi gjatë kontrolleve në banesën e tij u zbulua një arsenal armësh. Kontrollet u kryen në kuadër të hetimeve për atentatin e ndodhur në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Zalla dyshohej si bashkëpunëtor në këtë ngjarje, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuza në kuadër të hetimit. Megjithatë, këto dyshime nuk janë provuar përfundimisht nga një vendim gjykate.
Emri i 49-vjeçarit nuk është i panjohur për autoritetet. Rreth 12 vite më parë, ai ishte arrestuar për prodhim të bombave artizanale, ndërsa ishte hetuar edhe për veprimtari të lidhura me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Në atë periudhë, Zalla dyshohej gjithashtu për lidhje me persona të përfshirë në rekrutimin e shqiptarëve për t'iu bashkuar ISIS-it dhe për të shkuar në Siri për xhihad.
Në të kaluarën, ai është përfshirë edhe në një tjetër çështje penale, pasi kishte kërcënuar me jetë pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë-Krujë.
Arrestimi i tij në Krujë i jep fund disa muajve arrati, ndërsa tashmë pritet që Zalla të përballet me procedurat gjyqësore për akuzat që rëndojnë ndaj tij./K.C/dritare.net