
Nga Manfred Bushi
Për fat të mirë, flamingot e vërteta janë shëndoshë e mirë. Shkojnë e vijnë si t’u dojë qejfi dhe as nuk e dinë se diku në Tiranë po protestohet për të drejtat e tyre, se ku duhet ta bëjnë vezën.
Puplat u kanë rënë flamingove revolucionare në shesh. Nuk i dëgjoni se si gërthasin? Janë vërtet të zemëruar sepse kanë ngelur pak, ndaj bërtasin më shumë. Si fëmijët e vegjël, të cilët, duke e njohur vogëlsinë e tyre (maten me të mëdhenjtë), përdorin instrumentin e vetëm që kanë: qajnë. Nganjëherë edhe më fort dhe me lot.
Qan Lapaj, qan Qori, qan Shehaj. Dhe presin Ramën që t’i pajtojë. D.m.th. që të japë dorëheqjen. Duan që të largojnë mamin, sepse këtë herë nuk ua ka bërë qejfin.
Berisha nuk qan, por është si gjithmonë si ai komshiu i lig që kënaqet me këta qyrravecët. Në këtë moshë, gjyshit, qarjet e kalamajve janë muzikë për veshët e tij. I kujtojnë veten: të njëjtat sharje, i njëjti agresivitet verbal dhe ndonjëherë edhe fizik.
Sepse ai plak, që nuk ka lënë gjë pa bërë, e do një trashëgimtar. Që të jetë sa më i dhunshëm.
Por deri tani askush nuk ia mbush mendjen. Nuk e merr vesh se ku duhet të vërë bast: tek Shehaj (oligark i vogël që shan oligarkët e mëdhenj), tek Lapaj, i cili e ka bërë të qartë dëshirën për karrigen duke u zënë me ortakun e vet, apo tek Qori, që mendon se një fat i madh mund ta sjellë në pushtet.
E qartë se plaku nostalgjik kërkon gjënë më të dhunshme: jo vetëm dhunë verbale, por diçka që i kujton bulevardin e dikurshëm, ku mund të vriste kë të donte.
Flamingot e shpupluara nuk ia bëjnë pyetjen vetes: “Përse kemi ngelur kaq pak?” Sepse kanë frikë nga përgjigjja.
E lënë fajin tek ata që nuk ngrihen nga kafja edhe po t’i kërcënosh, tek patronazhistët (sepse vetë kanë vetëm militantë e dashamirës), tek Izraeli, tek gazetat italiane që nuk i mbështesin sa duhet, sepse Rama është mik me Melonin.
Në fakt, përgjigjja është më e thjeshtë: nuk është më lëvizje sociale, por politike. D.m.th. nuk ka një interes të qartë social, siç ishte tërheqja zvarrë e një protestuesi në Zvërnec apo mungesa e transparencës tek investimi.
U vu kufiri tek protesta politike, ku çdokush kërkon karrigen e vet. Atë gjë e ka provuar Berisha me dhjetëra herë dhe nuk ia ka dalë.
Dhe kur lëvizja bëhet politike, fillojnë e bëhen llogaritë: sa fitoj unë, sa fiton ti. Duke harruar se hanxhiu ka 82 mandate.
Edhe duke supozuar një dorëheqje, PS-ja fiton prapë, sepse ka zërat e heshtur që nuk janë në protestë.
Unë nuk e kam votuar Ramën herën e fundit, sepse rrezikohej të merrte shumë dhe, siç dihet, apo siç kemi fjalën e urtë popullore, “shumë e për lumë”.
Është pikërisht kjo dobësi, e cila dukej në fillim forcë, që e ka bërë Ramën të mendojë. Biles duket edhe të reflektojë.
Por tani për tani, përtej Ramës nuk ka alternativë.
Të rinjtë nuk i kanë akoma kallot e duhura në duart që punojnë në fushën e politikës. Vetëm Berisha i ka: por vetëm tek gishti tregues i dorës së djathtë, që shërben për të tërhequr këmbëzën e kallashnikovit.
Por atë gjë e kemi kaluar dhe askush nuk e do më atë kthim.
Sa është e korruptuar qeveria e Edi Ramës?
Nga qëndrimi i drejtësisë, përgjigjja nuk mund të jetë ndryshe: shumë!
Problemi është se nuk kemi një njësi matëse me të kaluarën.
Drejtësia dihet se si funksiononte. Zgjidhte Berisha se kush duhej të dënohej apo jo. Ne e dinim se qeveria ishte e korruptuar (bashkë me ne), por nuk mund të flisnim.
Tani flamingot e kanë vrarë frikën.
Në fakt, në kohët e Edi Ramës është kollaj ta vrasësh frikën. Frika që kishin ishte inerci e kohëve të Berishës: “E di se ai të vret, por unë prapëseprapë e votoj.”
Rama nuk ka bërë vetëm atë që nuk mund ta bëjë: ka ndërtuar shkolla e spitale që janë vërtet në nivele europiane.
Por ato janë vetëm guaska. I kërkohet të hyjë në kokat e njerëzve, d.m.th. të mësuesve dhe mjekëve, që të mos marrin lekë:
“ Të lumtë doktor, ma ke ba qejfin, 200 000 lekë janë pak për ty!”
Korrupsioni në filozofi
Tek “Timeu”, Platoni bën vërtet një analizë të thellë të kësaj bote, të cilën ai e quan të “ndjeshme”.
D.m.th. Demiurgu e kopjon botën origjinale dhe krijon një të ndjeshme. Origjinalja nuk lëviz, sepse është perfekte. Ndërton botën e ndjeshme në formën më perfekte që ekziston në natyrë, d.m.th. sferën.
E izolon mirë e mirë që asgjë të mos penetrojë.
Dhe pastaj thotë: “Mbahet me korrupsionin e vet.”
Mirë atëherë, duket sikur po justifikoj korrupsionin, por jo.
Është i justifikueshëm deri atëherë kur bota e ndjeshme nuk i ngjan më botës origjinale.
Në sulm, Flamingo!/dritare.net