Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore përgënjeshtron lajmin: Nuk legalizojmë ndërtime në zonat arkeologjike!
Dritare.net

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka reaguar ndaj një artikulli ku pretendohej se janë “legalizuar” ndërtime në zona arkeologjike. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i cilëson këto pretendime të pasakta, dezinformuese dhe të keqinterpretuara.
Në reagimin zyrtar, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sqaron se as ky institucion dhe as organet kolegjiale, Këshilli Teknik dhe Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, nuk legalizojnë ndërtime dhe nuk miratojnë leje ndërtimi.
Sipas institucionit, vendimmarrjet e këtyre organeve për projektet zhvillimore lidhen vetëm me miratimin e raporteve për vlerësimin e potencialit arkeologjik ose të vëzhgimit arkeologjik sipërfaqësor. Këto vendime, theksohet në reagim, nuk kanë të bëjnë me ndërhyrje që cenojnë zonat e klasifikuara si pasuri kulturore.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sqaron se procedura për pajisjen me leje ndërtimi zhvillohet pranë institucioneve të tjera kompetente, në bazë të ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore thekson gjithashtu se vendimet e Këshillit Teknik dhe Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale mbështeten në ekspertizën e specialistëve të licencuar në fushën e arkeologjisë.
Në përfundim, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore fton opinionin publik, specialistët dhe mediat të njihen nga afër me punën e institucioneve përgjegjëse për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
POSTIMI I PLOTE:
FAKE NEWS | E vërteta nuk “legalizohet” me gënjeshtra!
Në lidhje me artikullin e publikuar në portalin “Pamfleti”, mbi pretendimet për “legalizime” ndërtimesh në zona arkeologjike, sqarojmë opinionin publik se këto të dhëna janë të pasakta, dezinformuese dhe keqinterpretuese!
Së pari, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), organet kolegjiale, Këshilli Teknik (KT) dhe Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), nuk legalizojnë ndërtime dhe nuk miratojnë leje ndërtimi.
Vendimmarrjet e KT-së ose KKTKM-së për aplikimet për projekte zhvillimore, në asnjë rast, nuk lidhen me ndërhyrje në zona arkeologjike, por shprehen dhe miratojnë “Raportet e Vlerësimit të Potencialit Arkeologjik” / “Raportet e Vëzhgimit Arkeologjik Sipërfaqësor” për projekte që nuk kanë impakt në zonat pasuri kulturore.
Procedura për marrjen e “Lejes së ndërtimit” vijon sipas Ligjit nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, në institucionet e tjera kompetente.
Për sa i përket artikullit, i cili citon të dhëna absolutisht të pasakta dhe dezinformuese për opinionin publik, sqarojmë se vendimmarrjet e KT-së dhe KKTKM-së mbështeten mbi ekspertizën e specialistëve të licencuar në fushën e arkeologjisë dhe, kurrsesi, nuk ka dhe s’mund të ketë vendimmarrje që cënojnë zonat arkeologjike.
Së dyti, sqarojmë opinionin publik se, në përputhje me misionin e tyre, IKTK, KT dhe KKTKM, në mbështetje të ligjit nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, i ndryshuar, shqyrtojnë dhe miratojnë projekte për ndërhyrje me karakter mirëmbajtës, restaurues dhe konservues, sipas parimeve themelore të përcaktuara në ligj për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Projektet restauruese për objektet me status pasuri kulturore janë jo vetëm përmbushje e detyrimit ligjor, por, mbi të gjitha, tregues i vëmendjes dhe mbështetjes që Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, IKTK dhe institucionet e specializuara i japin trashëgimisë kulturore, duke shmangur degradimin e monumenteve dhe ruajtjen e vlerave të tyre.
Artikulli në fjalë, i cili përmban të dhëna të pasakta dhe të pavërteta, tregon një media joprofesionale që nuk përmbush misionin e gazetarisë, mision i cili duhet të përçojë të vërtetën te opinioni publik. Ky mision realizohet kur verifikohen informacionet, duke kryqëzuar të dhënat, si dhe duke u mbështetur në fakte, të cilat janë publike dhe lehtësisht të aksesueshme në faqet zyrtare dhe pranë institucioneve përkatëse.
Ftojmë opinionin publik, specialistët e fushës dhe mediat profesionale të njihen nga afër me punën e jashtëzakonshme, pasionin, vizionin dhe përkushtimin me të cilin MTKS, IKTK dhe institucionet e specializuara kryejnë misionin e tyre për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.