Ty dhe Pjetër Arbnorin do t’ju vrasin! Paralajmërimi që i dhashë Azem Hajdarit! Flet Arben Meçe!
Dritare.net

Një rrëfim i fortë për orët përpara vrasjes së Azem Hajdarit është bërë nga Arben Meçe në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV. Meçe tregoi se më 11 shtator 1998, vetëm një ditë para vrasjes së deputetit demokrat, ishte takuar rastësisht me Hajdarin në ambientet e QSUT-së dhe e kishte paralajmëruar se jeta e tij ishte në rrezik.
Sipas Meçes, të dy ndodheshin në spital për arsye familjare. Gjatë takimit, ai thotë se i foli drejtpërdrejt Hajdarit për informacionet që kishte dhe se paralajmërimi përfshinte edhe Pjetër Arbnorin. “Hajdar, ti e di mjaft mirë që dy persona janë të etiketuar për t’u vrarë. Njëri je ti dhe tjetri është Pjetër Arbnori”, rrëfeu Meçe.
Meçe tregoi se i kishte thënë Hajdarit se Pjetër Arbnori kishte informacion për rrezikun dhe, sipas tij, ishte mbyllur në shtëpi, ndërsa Hajdari vazhdonte të dilte. “Pjetër Arbnori e ka informacionin dhe është mbyllur në shtëpi dhe nuk del nga shtëpia. Ndërsa ti po del”, tha ai. Sipas rrëfimit të Meçes, Hajdari iu përgjigj se kishte marrë masa, ndërsa ai i tha: “Zoti të ruajttë”.
Vetëm një ditë më vonë, më 12 shtator 1998, Azem Hajdari u vra. Meçe pretendon se zhvillimet e atyre ditëve nuk ishin të rastësishme dhe se duhen parë së bashku me dinamikën që çoi në vrasjen e Hajdarit dhe ngjarjet e 14 shtatorit. Sipas tij, kishte një sërë informacionesh që kryqëzoheshin dhe që e kishin bërë të mendonte se situata po shkonte drejt një përplasjeje të rëndë.
I pyetur nga gazetari se si kishte dijeni për një rrezik të tillë, Meçe tha se kishte shumë burime informacioni dhe se në atë periudhë ndiqte nga afër zhvillimet. Ai pretendoi gjithashtu se Shërbimi Informativ kishte dijeni për ngjarjet që po zhvilloheshin dhe për situatën e tensionuar të atyre ditëve./dritare.net