Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump kërcënon Kanadanë me tarifa të reja për shkak të tymit nga zjarret

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar Kanadanë me vendosjen e tarifave të reja tregtare, duke e akuzuar për neglizhencë në menaxhimin e zjarreve pyjore që kanë përfshirë vendin. Sipas tij, tymi i dendur nga qindra vatra zjarri ka ndotur ajrin në shumë qytete amerikane, duke krijuar rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Aktualisht, në Kanada janë regjistruar rreth 888 zjarre aktive, ndërsa mbi 190 prej tyre ndodhen në provincën e Ontarios. Tymi i shkaktuar nga këto zjarre ka përfshirë një pjesë të madhe të veriut të SHBA-së, duke prekur qytete si Nju Jorku, Çikago, Detroiti dhe Uashingtoni.

Nga ana tjetër, autoritetet kanadeze kanë hedhur poshtë akuzat, duke theksuar se vendi ka investuar miliarda dollarë në mbrojtjen e pyjeve dhe luftën kundër zjarreve. Kryeministri Mark Carney dhe zyrtarë të tjerë kanë deklaruar se ndryshimet klimatike janë një sfidë globale dhe se Kanadaja nuk mund të mbahet e vetme përgjegjëse për përhapjen e zjarreve.

Ekspertët e klimës sqarojnë se tymi i zjarreve nuk njeh kufij shtetërorë dhe përhapet sipas drejtimit të erës. Ata theksojnë gjithashtu se rritja e temperaturave dhe thatësirat e gjata, të lidhura me ndryshimet klimatike, kanë ndikuar në përkeqësimin e sezonit të zjarreve në Kanada.

Ndërkohë, autoritetet në të dy vendet vazhdojnë bashkëpunimin për përballimin e situatës, ndërsa cilësia e ajrit në disa rajone të SHBA-së mbetet në nivele të rrezikshme./L.F-dritare.net