
Nga Nertil Jole
Kur udhëtoj drejt jugut të Shqipërisë, ndalesa e shkurtër në fshatin Vuno është një lloj pikëtakimi shpirtëror me kujtimin e një pjese të rrënjëve të familjes sime, por edhe me historinë e pasur të një prej fshatrave më të bukur të bregut të Shqipërisë.
Shtëpitë karakteristike të gurit tre-katër shekullore, rrugicat e kalldrëmit që sidoqoftë më ngjajnë me Korçën, kishat e vjetra, hija e pemëve të ullirit, kulinaria e zonës, portretet identitare të banorëve vendas dhe gjallëria e shumë turistëve të huaj, të përcjell një ndjenjë qetësie dhe energjie pozitive.
Hijeshia e natyrës dhe traditës shqiptare i bën gjithmonë kontrast vulgaritetit, i cili fatkeqësisht ende na shoqëron në mjedisin social dhe urban. Ndoshta si për të na kujtuar gjithmonë rëndësinë që ka e bukura dhe potencialin që ajo ofron kur dimë ta shfrytëzojmë me shije e zgjuarsi.
Shqipëria e sotme është thellësisht ndryshe nga ajo e djeshmja. Emri i saj ndërkombëtarisht është ngjitur në një nivel të ri si asnjëherë më parë në histori. Krenaria shqiptare sot është plotësisht e merituar, sepse rruga që vendi ka përshkruar nuk ka qenë e thjeshtë dhe ndryshimi nuk ka mbërritur vetiu.
Të gjithë bashkë ia kemi dalë të punojmë për suksesin e vendit tonë. Edhe nga gabimet kemi nxjerrë mësime që na bëjnë më të vendosur për të ecur përpara. Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë hapin drejt anëtarësimit në BE, as ta vonojë më gjatë arritjen në atë “finish”. Jo thjesht si përmbushje e një projekti qeverisës, por si garanci përfundimtare për pakthyeshmëri në regres.
Të tilla gjurmë të thesareve shqiptare, na ndihmojnë që përmes të shkuarës sonë, të shohim dhe projektojmë një vizion modern e të qëndrueshëm për të ardhmen. Kjo kërkon në çdo kohë dashuri e dije, por edhe kurajo për t'u përpjekur që turizmi ynë të zhvillohet i përshtatur me kontekstin global e në harmoni me trashëgiminë natyrore dhe kulturore.
Shqipëria kampione e turizmit në Ballkan nuk duhet parë vetëm si slogan apo prioritet qeverisës, por si mision i përbashkët për progres e përmirësim të vazhdueshëm, ku secili kontribuon me punën e tij të ndershme në forcimin e trashëgimisë së suksesit të vendit tonë. Për standardin e jetës tonë sot e nesër dhe të brezave që vijnë.
E nëse ndodh kështu, nuk do të ishte e tepërt të pranonim se i jemi afruar jetësimit të amanetit të të parëve.