Rama: Shqipëria nuk është lavatriçe e parave të pista, përndryshe do të ishte bllokuar integrimi në BE
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat se Shqipëria është një vend ku pastrohen para të pista, duke theksuar se një situatë e tillë do ta kishte penguar vendin të përparonte në procesin e integrimit europian.
Sipas Ramës, vetëm dyshimi se Shqipëria funksiononte si një qendër e pastrimit të parave do të kishte sjellë reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Europian dhe institucionet ndërkombëtare.
“Diskutojmë që këtu ka një lavatriçe parash të pista, por kush do të na linte ne të vazhdonim të mbyllnim kapitujt me Bashkimin Europian? Vetëm ideja që kjo mund të ishte e vërtetë do të kishte stopuar çdo gjë dhe do të ishim bërë objektiv i institucioneve të huaja”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal edhe te funksionimi i sistemit të drejtësisë, duke theksuar se sot ekzistojnë mekanizma të rinj për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ku sipas tij një rol të rëndësishëm luan edhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Risia është se sistemi ka prodhuar mekanizma të rinj dhe SPAK është pjesë e sistemit. Sistemi po lufton, sepse deri dje nuk luftonte. Nuk kishte balancat e brendshme për të garantuar imunitetin e vet, ndërsa sot lufton”, u shpreh ai.
Rama shtoi se zbulimi dhe goditja e rasteve të trafikut të parave të pista nuk duhet të interpretohet si provë e ekzistencës së një “narkoshteti”, por si dëshmi se institucionet po funksionojnë dhe po godasin rrjetet kriminale.
“Fakti që kapet një rrjet që ka sjellë para të pista është historik për të treguar rritjen e nivelit të imunitetit të sistemit. Kjo nuk tregon se kemi të bëjmë me një narkoshtet, por se po goditen trafiqet, rrjetet dhe korrupsioni”, tha kryeministri.