Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Gjashtë mënyrat si motivoheni! Cili është profili juaj në punë?

Çfarë ju motivon më shumë në punë: liria për të vendosur vetë, vlerësimi nga të tjerët, paratë, siguria, rehatia apo marrëdhëniet me njerëzit? Një studim i ri psikologjik sugjeron se njerëzit ndahen në gjashtë profile kryesore motivimi dhe njohja e stilit personal mund të ndihmojë në arritjen e objektivave.

Sipas psikologëve, motivimi është forca që i jep drejtim sjelljes njerëzore dhe mund të vijë nga faktorë të brendshëm ose të jashtëm. Disa njerëz udhëhiqen nga dëshira për pavarësi dhe zhvillim personal, ndërsa të tjerë nga shpërblimet financiare, statusi apo stabiliteti.

Studimi i realizuar nga psikologu Ian MacRae dhe kolegët e tij identifikoi gjashtë kategori kryesore:

"Self Starter" – njerëzit që motivohen nga autonomia, liria për të marrë vendime dhe mundësia për t’u zhvilluar.
"High Flier" – ata që nxiten nga njohja publike, suksesi dhe vlerësimi nga të tjerët.
"Bridge Builder" – personat që gjejnë energji te bashkëpunimi, lidhjet sociale dhe puna në grup.
"Wealth Builder" – ata që motivohen kryesisht nga shpërblimet financiare dhe përfitimet materiale.
"ChillMaxxer" – njerëzit që kërkojnë fleksibilitet, rehati dhe ekuilibër mes punës dhe jetës personale.
"Solid Grounder" – ata që vlerësojnë më shumë sigurinë, stabilitetin dhe një mjedis të parashikueshëm pune.
Sipas ekspertëve, motivimi nuk është i pandryshueshëm dhe mund të ndryshojë me kalimin e kohës dhe rrethanave të jetës. Për shembull, të rinjtë mund të jenë më të orientuar drejt pagës dhe përfitimeve, ndërsa me kalimin e viteve shumë njerëz kërkojnë më shumë autonomi, kuptim dhe kënaqësi personale nga puna.

Studimet psikologjike tregojnë se njerëzit që drejtohen nga motivime të brendshme, si dëshira për të mësuar apo për t’u shprehur, shpesh arrijnë rezultate më të mira dhe kanë mirëqenie më të lartë në punë sesa ata që ndihen të shtyrë vetëm nga presioni apo pritshmëritë e jashtme.

Njohja e mënyrës se si funksionon motivimi personal mund të ndihmojë jo vetëm punonjësit, por edhe drejtuesit e kompanive, të cilët mund të krijojnë ambiente pune që plotësojnë nevojat e ndryshme të stafit.

Sipas autorëve të studimit, të kuptosh çfarë të ndez pasionin dhe energjinë është një hap i rëndësishëm për të kapërcyer periudhat e lodhjes dhe për të vazhduar drejt qëllimeve personale e profesionale./dritare.net