Deklarata për spastrimin etnik të Kosovës/ Marta Kos: Tronditëse që ministrja serbe nuk është larguar
Dritare.net

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka deklaruar se e ka të vështirë të imagjinojë që ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, të vazhdojë të mbajë postin e saj pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”.
Gjatë fjalimit të saj në mbledhjen e Komitetit të Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane në Parlamentin Evropian, Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian që të kuptojnë përgjegjësinë që kanë për çdo deklaratë publike.
“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi Kos.
Komisionerja evropiane e kishte dënuar edhe më herët deklaratën e ministres serbe, e cila shkaktoi reagime të forta në Kosovë, Serbi dhe në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, Paunoviç gjatë ditës së sotme kërkoi falje ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç, qeverisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, duke pretenduar se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit.
Megjithatë, në një intervistë të transmetuar në “Kurir TV” pak ditë më parë, ministrja serbe dëgjohet duke deklaruar se, nëse do të kishte qenë në vendin e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
Deklarata e saj ka rikthyer debatet mbi retorikën nacionaliste në Serbi dhe përputhshmërinë e qëndrimeve të zyrtarëve të vendeve kandidate me vlerat e Bashkimit Evropian./K.C/dritare.net

