Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Kosova padit Paunoviqin pas deklaratës për “spastrimin etnik”

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministre serbe Snezhana Paunoviq.

Gërvalla ka thënë se ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit.

“Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes. Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Para pak ditësh, Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta pastronte etnikisht Kosovën.

Kjo deklaratë ka nxitur reagime të shumta, si në Kosovë e Serbi ashtu edhe në Bashkimin Evropian.

Deputeti i vetëm shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, i mbështetur nga 53 deputetë, ka dorëzuar kërkesën për shkarkimin e saj te kryeministri i Serbisë.

E Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që politikanët në Serbi të përmbahen nga deklarata nxitëse dhe të respektojnë detyrimet nga normalizimi i raporteve me Kosovën.

Madje Komisionarja për Zgjerim e BE-s, Marta Kos, ka thënë se është e paimagjinueshme që Snezhana Paunoviq, vazhdon të jetë ministre./KohaDitore