"Turizmi i gjysheve", trendi i ri që po fiton zemrat e të rinjve
Dritare.net

Një trend i ri në botën e udhëtimeve, i njohur si "NonnaMaxxing" ose "turizmi i gjysheve", po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes brezit Z dhe millennials. Në vend të tureve tradicionale, shumë të rinj po zgjedhin të kalojnë kohë me gra të moshuara vendase, duke mësuar prej tyre gatim, zanate, histori dhe tradita që janë ruajtur brez pas brezi.
Nga përgatitja e makaronave me një "nonna" italiane, te mësimet e masazhit tradicional në Tajlandë, gatimi japonez apo recetat familjare në Irlandë dhe Hungari, këto përvoja po konsiderohen si një mënyrë më autentike për të njohur kulturën e një vendi.
Sipas një raporti të kompanisë së udhëtimeve GetYourGuide, 76% e të rinjve në SHBA, Britani, Francë dhe Gjermani do të rezervonin një aktivitet të frymëzuar nga "gjyshet", duke e parë atë si një alternativë më të ngrohtë dhe më kuptimplotë ndaj turizmit tradicional.
Ekspertët thonë se fenomeni lidhet edhe me nevojën e të rinjve për të reduktuar stresin dhe për të krijuar lidhje më të forta njerëzore. Psikologët theksojnë se marrëdhëniet ndërbreznore sjellin përfitime për të dyja palët: të rinjtë përfitojnë nga përvoja, urtësia dhe traditat e brezave më të vjetër, ndërsa të moshuarit ndihen më aktivë, më të vlerësuar dhe përmirësojnë mirëqenien e tyre duke ndarë njohuritë me të tjerët.
Për shumë udhëtarë, këto eksperienca nuk janë thjesht kurse gatimi apo vizita turistike, por kujtime që krijojnë ndjesinë e të qenit pjesë e një familjeje, edhe kur ndodhen mijëra kilometra larg shtëpisë. Pikërisht ky kombinim i mikpritjes, traditës dhe lidhjeve njerëzore po e shndërron "turizmin e gjysheve" në një nga tendencat më të veçanta të udhëtimeve në vitin 2026./dritare.net