Sulmet ndaj bankave/ Sejko siguron qytetarët: Depozitat tuaja janë të sigurta
Dritare.net

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u ka përcjellë një mesazh sigurie qytetarëve lidhur me depozitat e tyre bankare, pas incidenteve të regjistruara ndaj disa bankomateve gjatë protestave në Tiranë.
Gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama dhe drejtuesit e sistemit bankar, Sejko deklaroi se sistemi bankar dhe financiar në vend ka vijuar të funksionojë normalisht, pavarësisht tensioneve të ditëve të fundit.
Ai theksoi se bankat janë të mirëkapitalizuara dhe kanë nivele të mira likuiditeti, duke siguruar se depozitat e qytetarëve janë të sigurta.
“Pavarësisht tensionit dhe presionit në sistemin bankar dhe financiar, depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Bankat janë të mirëkapitalizuara dhe kanë një likuiditet shumë të mirë”, u shpreh Sejko.
Guvernatori bëri të ditur se Banka e Shqipërisë ka vijuar normalisht të gjitha funksionet e saj operacionale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë sistemit të pagesave dhe qarkullimit të parasë fizike, për të garantuar vijimësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
“Ne si Bankë e Shqipërisë i kemi pasur në funksionim të gjitha sistemet tona operacionale, përfshirë sistemin e pagesave dhe qarkullimin e parasë fizike”, deklaroi ai.
Sejko nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së sistemit bankar, duke theksuar se çdo cenim i tij do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, pasi përmes këtij sistemi kryhen pagesat dhe mbështetet aktiviteti ekonomik.
“Sistemi bankar është në funksion të qytetarëve dhe bizneseve. Cenimi i sistemit bankar dhe i sistemit financiar i dëmton drejtpërdrejt bizneset dhe qytetarët”, përfundoi guvernatori./K.C/dritare.net